Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, thotë se situata kriminale në Shqipëri është katastrofike dhe ndërrimet e emrave në kupolën e Policisë së Shtetit nuk mund ta zgjidhin këtë situatë. Reagimi vjen pas vendimit të qeverisë për të shkarkuar Gledis Nanon nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Duke vendosur kryeministrin Edi Rama në krye të listës së njerëzve që u mungon dëshira për të luftuar krimin e organizuar, po ashtu Alibeaj nënvizon se është po ashtu kryeministri organizatori i telenovelave me emra të kërkuarish nga drejtësia, ndaj duhet të jetë ai i larguari.
Postimi i plotë
Situata kriminale në Shqipëri është katastrofike dhe ndërrimet e emrave në kupolën e Policisë së Shtetit nuk mund ta zgjidhin këtë situatë.
Kjo sepse në krye të hallkës së rendit qëndron kryeministri Rama, njeriu që nuk ka vullnet për të luftuar me krimin dhe tentakulat e tij që janë të shtrira në çdo segment të jetës së shqiptarëve.
Vrasjet, ngjarjet e rënda kriminale, telenovelat me emra të kërkuarish nga policia dhe përfshirja e policisë në këto skema, janë tregues i qartë se përgjegjësia është e Edi Ramës. Pa largimin e tij ështe e pamundur që krimi dhe përfshirja e tij në politikë e kudo të marrë fund.
