Djali i ish kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha thotë se i qëndron deri në fund kallëzimit të bërë ndaj Tualant Ballës për çështjen “ÇEZ” dhe se asnjë nga akuzat ndaj tij për evazion fiskal nuk është vërtetuar.
Duke folur për mediat, ai tha se Balla në kohën që akuzonte atë, udhëtonte me një trafikant droge nëpër resorte.
“Ironia është që në atë periudhë i pandehuri më akuzonte mua për udhëtime apo lidhje me personin që nuk kisha asnjë lloj kontakti. Kanë kaluar dy vjet dhe ju jeni dëshmitar që nuk kanë provuar asnjë lidhje të vetme. Balla udhëtonte me një trafikant droge nëpër resorte, e destinacione turistike të Europës. E nuk përfundon këtu. Ky trafikant droge, Edmond Bengo, ka marr pjesë në mënyrë të jashtëligjshme në tendera nga OSHEE, nga pjesa që Balla hetonte, po ka fituar plot 6 milionë euro nga këto institucione shtetërore. Pra, i dyshuari për sponsorizim për këto udhëtime të zotit Balla ka fituar 6 milionë euro nga entet shtetërore”, tha Shkëlzen Berisha.
Ai shtoi se personi që akuzon është njeri që duhet të hetohet nga prokuroria “Prokuroria nuk e heton se është në presionin politik të maxhorancës”, tha ai.