Kryeministri Edi Rama ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e rajonit të veriut të Partisë Socialiste në selinë rozë, ku ka pasur debate të ashpra përsa i përket drejtorëve të rinj të emëruar në këtë qark.
Paulin Stërkaj, deputet i këtij qarku, ka hedhur akuza se emërimet janë kthyer në tender por kryeministri i ka dhënë fund debatit duke u shprehur se të hënën do të bëjë mbledhje të posaçme për Shkodrën.
Mbledhja ka zgjatur për të paktën dy orë dhe Stërkaj është shprehur se “E keni kthyer në tender, kjo gjë duhet të marrë fund. Emërimet e drejtorëve, secili çon emrat e tij”.
“Nuk e kemi bërë si tender. Musai më tha që i keni çuar 7 lista. Kam pritur deri më tani që këtë problem t’a zgjidhni ju. Tani do merrem vetë, meqë ju nuk i dhatë drejtim. Problemet në PS e Shkodrës do të diskutohen në një mbledhje të posaçme të hënën. Në mbledhjen e të hënës do të diskutohet për emërimet e drejtorëve të rinj në Shkodër. Për aq kohë sa ju nuk vendosni mes veti, do t’i vendos unë drejtorët”, i është përgjigjur kryeministri Edi Rama.
PS e Shkodrës ndodhet në kolaps që pas largimit nga drejtimi si koordinator i Ditmir Bushatit. Valdrin Pjetri ishte pasardhësi i tij, por karriera për të do ishte e shkurtër pas publikimit të dokumenteve nga PD për një dënim në Itali. Pas largimit të Pjetrit Rama ka komandur 4 drejtues, por një prej tyre Arben Pëllumbi deklaroi dje se është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër.
