Kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, lajmëroi dje dorëheqjen nga marrja e kësaj detyre, pas akuzave disaditore të artikuluara nga opozita për përfshirje të tij në trafik droge në vitin 2003 në Itali. Topi në mënyrë të detyruar do të shkojë në fushën e Presidentit Meta. Jo sepse ai kërkon të bëhet protagonist, por se Kushtetuta dhe ligji ia ngarkon këtë detyrë.
Konkretisht, neni 10 i Kodit Zgjedhor dhe neni 115 i Kushtetutës thekson se në rast të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurit vendor, Presidenti i Republikës cakton dekretin për zhvillim e zgjedhjeve të parakohshme jo më vonë se 48 orë nga marrja e vendimit.
A do ta dekretojë Presidenti Meta një datë të re zgjedhjesh për Bashkinë e Shkodrës? Përgjigja e kësaj pyetjeje mund të jepet vetëm nga Presidenti Meta.
Kreu i shtetit, në fillim të muajit qershor firmosi një dekret për anulimin e zgjedhjeve të datës 30 qershor. Ky dekret i tij u atakua në mënyrë indirekte në Kolegjin Zgjedhor, institucion ky që e rrëzoi këtë vendim të Presidentit dy herë. Herën e parë njohu 30 qershorin si ditë zgjedhjesh dhe herën e dytë duke certifikuar mandatet e këshillave bashkiak në të 61 bashkitë e vendit. Por Presidenti nuk e njohu këtë vendim me argumentin se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet mbi dekretet e tij. Ky institucion nuk mund të flasë, sepse prej rreth një viti nuk ekziston, përshkak se anëtarët i ngelën në testin e vetingut.
Presidenti nga ana e tij vijoi më tej duke caktua datë 13 tetor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në të gjithë vendin. Ky dekret i dytë i tij nuk u pranua nga maxhoranca. Kësisoj, nëse Meta do të caktojw një datë të dytë për Shkodrën, mund të duket si shenjë paqeje ndërmjet tij dhe Ramës. Nëse kreu i shtetit rishprehet se 30 qershori ka qenë ditë për votimet socialiste, dhe se nuk njeh Valdrin Pjetrin si të zgjedhur, atëherë Shkodra mund të mbetet pa drejtues deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike.