Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Riza Shera” në Manzë të Durrësit janë rikthyer në klasa të reja, më të forta dhe më moderne, falë riparimit dhe përforcimit të plotë pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryeministri Edi Rama ka postuar foto në Facebook nga kjo shkollë si dhe nga kopshti për më të vegjlit, të cilat kanë hapur dyert për nxënësit dhe mësuesit. Rama thekson se ata janë rikthyer në ambientet e reja dhe klasa moderne e të mirëpajisura, të transformuara plotësisht, me standarde evropiane.
Falë investimit nga programi “EU4Schools”, kjo shkollë ofron standarde evropiane për 130 nxënës, stafin pedagogjik dhe 25 fëmijë të kopshtit. Ajo ka kushte moderne me 9 klasa, 2 laboratorë, dhomë mjeku e psikologu, 1 bibliotekë, një klasë burimore për nxënësit me AK, si dhe një fushë basketbolli e një pistë vrapi me tartan.
Shkolla “Riza Shera” është ndërtuar në vitin 2003, pas dëmit nga tërmeti iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe një shtesë në pjesën e pasme të saj. Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.