Analisti Artutr Zheji ka dhënë një deklaratë të fortë teksa nis sezonin e radhës të emisionit “360 gradë” në televizionin Ora.
Ai ka thënë mnes të tjerash se priten ngjarje shumë interesante duke përmendur dhe fjalën “vrasje politike”.
Në një intervistë për 360gradë.al Zheji zbulon të rejat .
Pyetje: Sot rifillon emisioni juaj, çfarë të reja priten? Konkurenca duket e fortë…
Artur Zheji: Fillimisht mendova ta ndërpres Emisionin, sepse shumë gjëra në vendin tonë, kanë humbur kuptimin e tyre. Jemi bërë shumë Fast Food dhe shumë Fast Tv. Shqiptarët merren shumë me politikë, por bëjnë në të vërtetë, shumë pak politikë reale. Jetojmë në Mbretërinë e madhe dhe të Gjerë të Gënjeshtrës, ku e vërteta duket si një kaktus në Shkretëtirë dhe shpesh kam përshtypjen se ne shqiptarët, as që duam t”ja dimë më për të vërtetën, ose fusim më së shumti, kokën në rërë si struci, për të mos e parë atë…
Mirëpo mesazhet e shumta që më kanë mbëritur në mënyrë të befasishme nga shumë njerëz, rreziku që po zhytemi në një diktaturë të kadifenjtë dhe shpërdorimi i parasë në mënyrë tmerruese dhe mendjelehtë nga ana e qeveritarëve shqiptarë, duket se më ktheu mendjen, pastaj mendoj se priten ngjarje shumë interesante…
Pyetje: Çfarë për shembull?
Artur Zheji: Për shembull, priten ndoshta edhe “vrasje politike”…
Pyetje: Vrasje politike? Duket e tmerrshme kjo që thoni… Për çfarë e keni fjalën konkretisht zoti Zheji?
Artur Zheji: Ishte thjesht një provokim, për të nënvizuar që kontradikta është thelluar shumë. Ose duhet pranuar ashtu si është “superpushteti” i Ramës, mbështetur edhe nga të huajt, ose duhet që populli dhe jo thjesht partitë të çohet në protesta liridashëse.
Në kohën e Enver Hoxhës, çdo 7-10 vjet priteshin koka dhe dërgoheshin përpara togës së pushkatimit, ministra, gjeneralë e drejtorë shumë të rëndësishëm. Gjoja ata ishin fajtorë për gjëndjen e krijuar dhe mossukseset në Shqipëri, në ekonomi apo në mirëqënie. Populli ushqehej me “Gijotina” apo kokëprerje fajtorësh pa faj, po kokëprerje kishte realisht. Dhe njerëzit thoshnin: “Oh sa mirë që sjemi askushi! Askush nuk do të na presë kokën neve… dhe as do të na burgosë…”. Në të vërtetë, ata ishin kokëprerë dhe nuk e dinin që ishin, e jetonin jetën e tyre të dystë e vegjetale, si ca bimë që s”kanë ndërgjegje njerëzore. Ndërsa tani, hajdutët realë të miliona eurove të varfanjakëve shqiptarë, edhe kur shkarkohen si të përfolur, i ndesh në marketet e shtrenjta apo janë tërë kohës në ajër nëpër udhëtime të supershtrenjta dhe ekzotike anë e mbanë Planetit. Me gratë, me dashnoret, apo edhe me dashnorët e grave, together… hahaha. Perveristet absolut.
Pyetje: Vrasjet politike pra? Do ketë apo s’do të ketë?
Artur Zheji: Nuk besoj, jo, jo nuk besoj, por nuk do të habitesha nëse ndodhnin. Janë shumë interesa, shumë kode dhe shumë padrejtësi në lojë… Nejse, Emisioni 360Grade do jetë aty, i vëmendshëm, si një kaktus, apo si një Oaz në Shkretëtirë. Kaktus me gjëmba të gjatë e me pickim të hidhur për pushtetarët arrogantë, Oaz, për ata që duan të pijnë pak ujë të ftohtë në shkretëtirën e Fjalës së burgosur… mirupafshim sot në darkë, në 21.00 në Ora Tv…