Kryetari i Shoqatës Rajonale të Tiranës, Eduard Prodani ka thirrur sot një asamble të jashtëzakonshme me qëllim zgjedhjen e delegateve për zgjedhjet e 15 marsit për kreun e FSHF
Nga 41 anëtarë në total, prezentë kanë qenë 21 prej tyre, duke plotësuar kuorumin e nevojshëm për ta zhvilluar asamblenë.
Kjo asamble zgjodhi Ergys Kadiun si sekretar i përkohshëm, Alban Miftarin si kryetar i komisionit të verifikimit, si delegatë janë zgjedhur Ergys Kadiu, Adi Balla, Adriatik Delimurati, Xhek Alushi, Alban Miftari dhe Endrit Agushi. Po ashtu Artur Çobani u zgjodh kryetar i Komiteti Ekzekutiv.
FSHF më herët e kishte njohur Prodanin si kryetar të Shoqatës së Tiranës për shkak të vendimit të gjykatës, por nuk është shprehur për delegatët e tjerë me të drejtë vote në Asamble. Për këtë arsye pritet që FSHF të mos i njohë delegatët e ditës së sotme, por të pranojë në zgjedhje ato delegatë të zgjedhur më 24 janar, nga zgjedhjet që me vendim gjykate u cilësuan si të manipuluara.
