Dy shpërthime tronditën të martën qendrën e Damaskut, në kohën kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvillonte një takim me homologun e tij sirian, Ahmad al-Sharaa, në një vizitë historike në Siri.
Sipas raportimeve, Macron kishte hyrë në pallatin presidencial për t’u takuar me presidentin sirian kur shpërthimet ndodhën pranë hotelit “Four Seasons”. Autoritetet siriane nuk dhanë menjëherë detaje mbi incidentin.
Mediat shtetërore siriane raportuan se presidenti francez ishte akomoduar në hotelin “Four Seasons”, ndërsa gazeta Al-Watan dhe rrjeti televiziv Syria TV konfirmuan se dy shpërthime u dëgjuan në zemër të kryeqytetit. Nga zona e ngjarjes u pa të ngrihej një re e madhe tymi.
Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale tregonin një automjet të përfshirë nga flakët dhe njolla gjaku në rrugë. Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për viktimat ose të plagosurit, ndërsa asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet.
Macron mbërriti në Siri të hënën, në vizitën e parë të një lideri të një shteti të Evropës Perëndimore që nga marrja e pushtetit nga autoritetet e reja siriane.
Sipas agjencisë shtetërore siriane të lajmeve SANA, presidenti francez shoqërohet nga një delegacion biznesi dhe vizita fokusohet në çështjet e sigurisë rajonale, si edhe në mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Në aeroportin e Damaskut, Macron u prit nga ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shibani.
“Kam ardhur për të shprehur angazhimin e Francës ndaj popullit sirian. Për një Siri sovrane, të bashkuar në diversitetin e saj dhe në paqe me fqinjët e saj”, shkroi Macron në një postim në platformën X.
“Së bashku, le të hapim një kapitull të ri stabiliteti dhe paqeje”, shtoi presidenti francez.
