Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi i depozitës së gazit në piken e karburantit në supestraden Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit.
Dy vajzat e mitura të familjes Bushati, të cilat ishin së bashku me prindërit dhe xhaxhanë në momentin e shpërthimit të karburantit në Lezhë janë shpëtuar nga punonjësi Nikolin Prenga. Ai menjëherë sapo ka konstatuar shkëndijën në depozitën e gazit ka vrapuar dhe ka nxjerrë dy vajzat nga makina.
Por s’ka mundur të shpëtoje veten duke u djegur në 40% të trupit. Sot ai ndodhet i shtruar në qendrën universitare “Nënë Tereza” në gjendje të rëndë për jetën. Në familjen e 40-vjeçarit në Pllanë të Lezhës ka pllakosur heshtja në pritje të lajmeve për shëndetin e tijë, ndërsa babai i Prenges tregon si e mori djalin e plagosur dhe e dërgoi në spital.
“Unë kam shkuar sa ka plasur gazi. Kam shkuar dhe kërkova djalin tim sepse secili mendon për veten. E gjeta dhe e çova në spital dhe më gjatë nuk e di. Më tha ka plas bombula dhe jemi djeg se dha një shkëndijë të vogël. Djali ëshët pak më mirë por i djegur rëndë është rëndë. Këto kanë qenë rrugëtar dhe kan shkuar aty për të mbushur bombula gazi. Ky e ka pa dhe ka nxjerr dy fëmijët edhe ka plas zjarri. Pastaj ka shku për herë të dytë se pse ka shkuar për herë të dytë nuk e di. Djali im thotë kam shpëtuar dy fëmije edhe po të vdes nuk jam në merak sepse kam shpëtuar dy fëmijë”, ka thënë Frrok Prenga, babai i të plagosurit.
Nga shpërthimi i depozitës së gazit mbrëmjen e së shtunës mbeten të plagosur 7 persona 2 prej të cilëve vijojnë të jenë në gjendje të rëndë për jetën, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup. Ndërsa karburanti ku ndodhi ngjarja u bllokua nga Inspektorati Shtetëror Teknologjik dhe Industrial për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë.