Dy kanë qenë shqetësimet kryesore të kryetarëve të bashkive që kanë fituar me 30 qershor në bashkitë e djathta. Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës, Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë Lezhë, Agron Malaj, kryetar i Bashkisë Mat theksuan se ish drejtuesit e mëparshëm kanë akumuluar një borxh mjaft të madh.
Ata theksuan se arkat e këtyre bashkive janë lënë bosh nga ish kryetarët, përfaqësues të Partisë Demokratike. Shumica e kryetarëve theksuan se borxhi i krijuar do t’u krijojë probleme gjatë qeverisjes lokale. Kryebashkiakët përmendën shifra konkrete, ndërkohë Kryeministri Rama u sugjeroi të auditojnë me kujdes çdo gjë.
Problemi tjetër që kryetarët e rinj të bashkive përmendën në takimin e zhvilluar sot në Lezhë ishte ai i abuzimeve me punësimet. “Në bashkitë tona, u shprehën kryetarët, janë punësuar dhjetra militantë të PD-së, adresa e të cilëve nuk dihet. Disa nuk paraqiten pranë ndërmarrjeve të shërbimeve bashkiake, atyre të rrugëve apo ujësjellësave, të tjerë kemi të dhëna se ndodhen jashtë vendit dhe janë paguar në bashki. Është e domosdoshme të ulin numrin e të punësuarve dhe të shtojmë fondet për shërbimet në komunitet”. /tirananews.al/