Këtë të mërkurë, Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka nisur iniciativën për grumbullimin e 20 mijë firmave të qytetarëve, për të dërguar në Parlament çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Kryetari i saj, Adriatik Lapaj tha se kjo vjen pasi janë rrëzuar disa projekt-ligj për Reformën Zgjedhore. Sa i përket votës së diasporës, Lapaj theksoi se kërkon të ndiqet shembulli i Kosovës, i cili e mundëson atë me postë.
“Në janar janë rrëzuar dy projektligje për Reformën Zgjedhore, ne do ta dërgojmë në parlament përmes 20 mijë firmave. Stendat do të jenë në Tiranë dhe në rrethe”. Sipas Lapaj është koha të ndahet “shapi nga sheqeri” dhe po ashtu të ndahen ata që janë pro pengmarrjes dhe ata që janë pro hapjes së sistemit.
“Është çasti të ndahet shapi nga sheqeri. Të ndahen ata që janë pro pengmarrjes dhe ata që janë pro hapjes së sistemit. Duhet që çdo deputet ta pozicionojë veten dhe të zgjedhë që ta mbajë Shqipërinë peng apo të demokratizojë vendin. Nuk ka rrugë të mes, o me pengmarrësit, o me qytetarët”.