Shqipëria do të drejtojë këtë të mërkurë një nga seancat më të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit në OKB. Do të jetë kryeministri Edi Rama që do të drejtojë këtë seancë të nivelit të lartë, fokusi i së cilës do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, por dhe adresimi i nevojave aktuale dhe të ardhshme humanitare.
Të pranishëm do jenë krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Për herë të parë që nga fillimi i luftës do të jetë i pranishëm fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Takimi do të nisë në orën 11:00 me orën lokale, ndërsa tema për diskutim në Këshillin e Sigurimit do të jetë “Mirëmbajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Në OKB është i pranishëm edhe presidenti Bajram Begaj, i cili do të mbajë fjalë në emër të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme ndërsa Rama do të prezantojë 2 nisma në Këshillin e Sigurimit, ku për të dytën herë Shqipëria mban Presidencën.
