Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit të ICC me qendër në Paris ka dhënë të enjtën e javës së kaluar vendim përfundimtar në favor të shtetit shqiptar në përballjen me kompaninë koncesionare GBC OIL Company LTD.
Kompania e regjistruar në ishujt Cayman (ish-shoqëria Stream Oil& Gas) pretendonte një dëmshpërblim dhe fitim të munguar nga shteti shqiptar në vlerën e 113,372,000 USD për prishjen e marrëveshjeve që kjo shoqëri kishte me Albpetrol për vendburmet Gorisht – Kocul; Cakran-Mollaj dhe Ballsh-Hekal.
Gjykata e Arbitrazhit në vendimin final i ka refuzuar pretendimet e GBC Oil & Gas për dëmshpërblim dhe fitim të munguar, duke i konsideruar kështu veprimet e ndjekura nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë të drejta për prishjen e marrëveshjeve hidrokarbure për këto tre vendburime.
Nga ana tjeter, AKBN dhe MIE do të duhet ta kompesojnë shoqërinë për efektet negative të rentës minerare për një vlerë prej 12.5 milion USD. Këto janë para të cilat kompania ja ka derdhur shtetit shqiptar gjatë viteve 2008-2016 përmes administratës tatimore si rentë minerare.
Pavarësisht kësaj, paralelisht GBC Oil & Gas i detyrohet kompanisë shtetërore Albpetrol një shumë prej 27 milion USD si borxhe të papaguara, fakt i cili qëndronte në thelbin e shkaqeve që detyruan shtetin shqiptar të prishte marrëveshjet hidrokarbure me kompaninë dhe që u konstatua veprim i drejtë nga arbitrazhi.
