Çdo rajon në botë, me përjashtim të Amerikave po përjeton një rritje të rasteve të fruthit, një sëmundje që mund të vrasë ose paaftësojë fëmijët por që mund të parandalohet nga vaksina thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kate O’Brien nga OBSH fajëson sistemet e dobëta shëndetësore dhe keqinformimin për vaksinat si dhe thirrjet në rrjetet sociale dhe se popujt duhet të siguronin informacionin e duhur për parandalimin e kësaj sëmundjeje me rrezikshmëri të lartë.
“Jemi duke e lënë pas dore, jemi në rrugën e gabuar”, ka thënë O’Brien, drejtoresha e departamentit të imunizimit dhe vaksinave në OBSH, në një konferencë për mediat.
“Ne kemi një trend shqetësues që po e përjetojnë të gjitha rajonet, një rritje të fruthit, me përjashtim të rajonit të Amerikave që ka pësuar një rënie”, tha ajo.
Sipas Reuters, këtë vit janë raportuar 365 mijë raste në të gjithë botën, më e larta që nga 2006, tha O’ Brien, duke theksuar se kjo shifër përfaqëson vetëm një fraksion të 6.7 milionë rasteve të dyshuara. Fruthi shkaktoi rreth 109 mijë të vdekur në 2017 dhe është e dhëna e fundit që tregohet.
Edhe Europa ka humbur terren me katër vende që nuk cilësohen më “të lira nga Fruthi”, ku është edhe Shqipëria bashkë me Çekinë, Greqinë dhe Britaninë, vijon deklarata.
Ekspertët e shëndetit thonë se virusi është i përhapur në mesin e fëmijëve në moshë shkolle prindërit e të cilëve nuk kanë pranuar të bëjnë vaksinën e fruthit, apo që njihet gjerësisht në Shqipëri vaksina e 1 vjeçit.
Besimi te vaksinat, si produkti mjekësor më efektiv dhe më i përhapur është më i lartë në vendet e varfra por më e dobët në vendet e pasura, ku skepticizmi ka lejuar shpërthimin e sëmundjeve të tilla.
“Ne e shohim keqinformimin si një kërcënim në rritje. I bëjmë thirrje poseduesve të rrjeteve sociale, komuniteteve, liderëve, njerëzve që flasin, të sigurojnë që komunikimi të jetë i kujdesshëm, i vlefshëm, dhe informacion i besuar shkencor”, ka thënë mes të tjerash O’Brian.
Ukraina, vendi i cili ka mbi gjysmën e rasteve po zbaton një përgjigje të fortë ndaj kësaj, ka thënë më tej O’Brian. “Ministria e shëndetësisë po bën fushata të synuara për imunizimin…. Ata gjithashtu po bëjnë vaksinime në shkollë, vaksinim për rekrutët ushtarak dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor”, ka thënë më tej.
