Rreziqet nga sulmet kibernetike në botë janë më shumë se dyfishuar në më pak se 5 vjet shkruan Euronews.com. Siguria kibernetike globale është nën kërcënim në rritje. Numri i dobësive të rrjetit në mbarë botën u dyfishua në vetëm 4 vjet, duke arritur nga 1700 në 3900, sipas një hulumtimi të kompanisë X-Force të IBM.
Analiza u krye nga viti 2019 deri në 2023 duke gjurmuar platforma dhe shërbime të ndryshme cloud në mbarë botën dhe jo vetëm të IBM.
Bosnja, Serbia dhe Shqipëria më të rrezikuara në Evropë
Pika e dobët e sigurisë kibernetike të Evropës duket se është Ballkani, sipas këtyre hulumtimeve të reja. Një renditje e përpiluar kohët e fundit nga kompania e sigurisë së reve kompjuterike Kloudle vendosi Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Shqipërinë si vendet më të cënueshme në kontinent ndaj shkeljeve të sigurisë së cloud.

Me një rezultat rreziku prej 71%, më e pambrojtura nga të gjithë është Bosnja Hercegovina. Në dy dekadat e fundit ajo ka përjetuar afro 9 milionë thyerje të “cloud” dhe është vendi më i ekspozuar në krahasim me madhësinë e tij. Ai gjithashtu ka rezultatin më të ulët të gatishmërisë për sigurinë kibernetike.
Bosnja pasohet nga Serbia dhe Shqipëria, të cilat kanë një rezultat të përgjithshëm rreziku përkatësisht 69% dhe 67%. Megjithatë, Serbia dhe Shqipëria kishin nivele shumë më të larta gatishmërie.
Britania e Madhe dhe Italia nën sulm
Mbretëria e Bashkuar u rendit e katërta për sa u përket rreziqeve të përgjithshme për shkak të numrit të lartë të përllogaritur të shkeljeve të cloud në 2 dekadat e fundit – mbi 1 miliard.

Italia është ekonomia tjetër e madhe evropiane ndër vendet më të rrezikuara, me rreth 800 milionë shkelje të vlerësuara. Italia megjithatë mund të mbështetet tek një nivel i lartë gatishmërie.
“Dobësitë e ekspozuara në vende si Bosnja Hercegovina dhe Serbia nxjerrin në pah boshllëqet kritike në infrastrukturën e sigurisë kibernetike që kanë nevojë për vëmendje të menjëhershme” – tha CEO dhe themeluesi i Kloudle, Akash Mahajan.
“Ne duhet t’i japim përparësi edukimit për sigurinë kibernetike dhe të zbatojmë masa të forta për mbrojtjen e të dhënave ndërsa vazhdojmë të mbështetemi më shumë në teknologjitë cloud. Këto përfshijnë auditime të rregullta të sigurisë, programe trajnimi të punonjësve dhe miratimin e teknologjive të avancuara të enkriptimit” – shtoi ai.