Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve do të ketë tre përballje tejet të vështirë në kampionatin evropian, që për herë të parë nga 16 qershori deri më 3 korrik, organizohet në Shqipëri dhe Serbi. Në shortin e hedhur në Beograd, të kuqtë e vegjël ‘peshkuan’ fillimisht Spanjën dhe më pas Italinë e Finlandën.
Tre rivalë jashtëzakonisht të fortë për një kombëtare debutuese edhe pse 21-vjeçarët e Bushit barazuan 0-0 në miqësoren kundër Spanjës pak ditë më parë në ‘Air Albania’. Si ‘La Roha’, ashtu edhe Italia janë rekordmenët e këtij kompeticioni, me nga 5 trofe të fituar. Finlanda ndërkohë këtë verë merr pjesë për herë të tretë në Evropianin e 21-vjeçarëve.
“Bashkëorganizimi i këtij kampionati bashkë me Serbinë ka gjithashtu një domethënie të veçantë. Është detyra jonë e të dy federatave që kemi marrë përsipër këtë përgjegjësi për të treguar që vërtet i ka shërbyer vendeve tona. Ta organizojmë sa më mirë këtë Kampionat Europian dhe t’i bëjmë të gjithë të ndihen të mirëpritur në Shqipëri dhe Serbi,”-u shpreh kreu i FSHF Armand Duka në ceremoninë e shortit në Serbi.
Dy ndeshjet e parë të Kombëtares U-21 do të zhvillohen në ‘Air Albania’, që janë kundër Spanjës me 16 qershor dhe kundër Italisë me 19 qershor, ndërsa ndeshja e tretë më 22 qershor kundër Finlandës në ‘Elbasan Arena’. Nga grupi kualifikohen vendet e para dhe të dyta, ndërsa vendet e treta dhe të katërta eliminohen. Njëjtë si Shqipëria edhe Serbia organizatore të gjithë ndeshjet e Evropianit do t’i zhvillojë në territon e saj, me përjashtim të finales, që nëse e arrin që do të jetë më 3 korrik në stadiumin kombëtar të Tiranës ‘Air Albania’.
Katër grupet e përcaktuara në short.
