Më 11 janar 1946 Shqipëria u shpall Republikë dhe sot bëhen 74 vite nga kjo. Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dhe pse një zyrtar i maxhorancës nuk ngurron të kritikojë qeverinë që nuk u kujtua për këtë datë.
Me ç’pashë (ndjesë nëse gaboj) asnjëri prej institucioneve të larta të Republikës, nuk pati mirësinë dinjitoze të kujtonte faktin historik që Republika që ata qeverisnin është shpallur më 11 janar 1946”, shkruan ndër të tjera Lame.
POSTIMI I PLOTE I LAMES
REPUBLIKA E DYTË
Më 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e dhjetorit 1945, e shpalli Shqipërinë “Republikë” dhe vetë u shndërrua në Kuvend Popullor. Deri në atë moment, duke filluar prej shtatorit 1928, Shqipëria kishte qenë “Monarki”.
Kuvendi i sotëm është vijues juridik i atij Kuvendi të ‘46-ës; Republika e sotme është vijuese e pandërprerë e asaj republike; deri para disa vjetësh edhe ligjet numëroheshin sipas renditjes së atij Kuvendi; e megjithatë sot askush nuk ka kurajën ta kujtojë atë akt, Njëra palë sepse e quan rrënjën e gjithë të zezave të botës, pala tjetër kompleksohet se mos e akuzojnë për nostalgji komuniste.
Republikat mund të jenë të mira apo të këqia, ashtu sikundër mbretërit mund të jenë të mirë apo xhahilë, por sidoqoftë janë fakte historike, që nuk mund të fshihen.
Avazi jonë i vjetër ka qenë dhe vazhdon të jetë që, kur s’na pëlqen fakti, të mos bëjmë një fakt më të mirë, por thjesht të fshijmë a fshehim faktin e vjetër. Le ta shajmë sa të duam atë Republikë, ta dënojmë për krimet që ndodhën dje, apo për paaftësinë tonë për ta ndërtuar siç duhet sot, por datën s’ia fshijmë dot nga kujtesa.
Me ç’pashë (ndjesë nëse gaboj) asnjëri prej institucioneve të larta të Republikës, nuk pati mirësinë dinjitoze të kujtonte faktin historik që Republika që ata qeverisnin është shpallur më 11 janar 1946.
Sqarim. E quajta “Republika e dytë” sepse kjo e ‘46-ës është republika e dytë e shqiptarëve, pasi 21 vjet përpara saj, në janar 1925, ata i kishin dhënë për herë të parë shtetit të tyre emërtimin “REPUBLIKA SHQIPTARE”.
