Sot mbahen zgjedhjet vendore në vendin tonë, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj. Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita ishte e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive.
Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.
Këtë 14 maj janë 3.650.550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë.
Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin. Janë 2795 votues në 15 QV të posaçme në institucionet e ekzekutimit të veprave penale.
Në Elbasan janë 224 qendra votimi dhe pritet të votojnë 171.225 qytetarë. Në Kamëz janë 133 qendra votimi dhe pritet të votojnë 108.799 qytetarë. Në Vorë janë 44 qendra votimi dhe pritet të votojnë 30.822 qytetarë.
