Përgatitja për shtegëtimin, sipas 86-vjeçarit Memo Koko që vjen nga një familje shekullore blegtorësh, është gati një festë që nis me përzgjedhjen e zileve dhe këmborëve. Ai kujton se, 3 këmborë 150-vjeçare që prijnë kopenë me 1.500 krerë i ka mbajtur kopeja e gjyshit, pastaj ajo e babait, më tej kopeja e kooperativës ku vet ai ishte bari, e tani kopeja e djemve.
I biri, Pëllumbi thotë se me vitet, shumë gjëra kanë ndryshuar, por shtegëtimi bart shumë traditë brenda. Ai pranon se tani, mali nuk i takon si dikur vetëm barinjve, por edhe vizitorëve nga e gjithë bota, që janë kuriozë të njohin ritet pastorale shqiptare.
Shtegëtimi, i gërshetuar me melodinë e orkestrës së zileve e këmborëve, fyejt, karvanin e mushkave që transportojnë pajisjet e stanit dhe qentë, është me interes edhe për udhëtarët e vizitorët shqiptarë.
Shtegëtimi nga zonat e bregdetit drejt maleve të Lunxhërisë, Dhëmbelit e Gramozit, është një ritual që zgjat më shumë se një javë, e ndoshta mes dëshmive të fundit të traditës së mbarështimit të bagëtive, së fundi edhe me interes turistik.
