Situata emergjentë e zjarreve në pyjet tropikale të Amazonës ka ngritur në këmbë gjithë globin, teksa dhe liderët politikë kërkojnë që ajo të përfshihet si një “krizë ndërkombëtare” në agjendën e samitit të G7 në fundjavë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë i pari që ka bërë këtë propozim duke u shprehur në Twitter se “shtëpia jonë po digjet”. Pas tij edhe kancelarja gjermane Angela Merkel tha se zjarret në Amazonë janë një “emergjencë akute” që i përket agjendës së G7.
Por presidenti brazilian Jair Bolsonaro i është përgjigjur homologut të tij francez se po e përdor këtë çështje për “përfitime politike”. Ai tha se të kërkosh një diskutim për zjarret në samitin e G7 në Biarrritz, ku Brazili nuk është pjesëmarrës, evokon “një mentalitet të gabuar kolonialist”.
Pylli më i madh tropikal në botë, Amazon është jetësor për thithjen e karbonit që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale. Ajo është gjithashtu shtëpi e mbi 3 milionë lloje bimësh dhe kafshësh dhe një milionë njerëzish indigjenë.
Të dhënat e publikuara nga satelitët hapësinor shohin një rritje me 85% këtë vit të zjarreve në Brazil, pjesa më e madhe e të cilëve është në rajonin e Amazonës.
Dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se është mjaft i shqetësuar për zjarret në Amazonë. “Në mes të krizës globale të klimës, ne nuk mund të lejojmë dëmtime të tjera për burimin më të madh të oksigjenit dhe biodiversitetit. Amazona duhet të mbrohet”, ka shkruar ai në Twitter.