Emri i kësaj shtëpie nuk është rastësi e as metaforë: godina, e ndërtuar në vitet ’30-të, për të mos rënë sy të njerëzve, u vesh me gjethe dhe brenda saj, në 31 dhoma të lidhura mes tyre, ndodhet një histori e rëndë. Vendosur në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, aty thuhet se është strehuar për pak kohë edhe Gestapo, gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore.
Me instalimin e regjimit komunist, mënjëherë pas Luftës II Botëtore, kjo godinë ishte një qendër hetuesie ku kryeheshin tortura ndaj shqiptarëve dhe jepej dënimi me vdekje. Më vonë u kthye në selinë qëndrore të përgjimeve të shërbimit sekret.
Pas ’90-ës ndërtesa u braktis e për dekada nuk pati asnjë funksion, duke mbajtur kështu larg kureshtjen e qytetarëve mbi atë që kishte ndodhur brenda mureve të saj.Muzeu, i konceptuar me nëntë seksione, zbulon për herë të parë për publikun mënyrat e avancuara të kontrollit të vendit dhe jetëve të shqiptarëve. Disa seksione i dedikohen përgjuesve të ndryshëm, mikrofonëve të fshehur si edhe informatorëve.
Dhoma e ndenjes zbulon një arredim tipik shqiptar të viteve ’70-të por, më tepër se kaq, aty çdo shqiptar kujton shtëpinë e rinsë apo fëmijërisë dhe kupton, pa fjalë, se sa e kontrolluar dhe e izoluar ka qënë vërtet jeta e tij.Një tjetër ambjent tejet interesant quhet “Panopticon dhe Panacusticon” dhe është ndoshta ekspozeja më interesante e muzeut: një laborator teknik dhe shkencor i fotove, inçizimeve dhe xhirimeve sekrete.
Ndjenja nga më të çuditshmet e përshkojnë trupin e mendjen e atij që kalon dhomat e këtij muzeu, dyshime për të kaluarën, për histori që janë harruar apo treguar si legjenda e thashetheme, frika e zbulimit të një të vërtete, ndoshta të perceptuar ndër vite por të pakonfirmuar. Ky muze tregon, si një film, të vërtetën e zhveshur.