Publikohen disa dokumenta historike nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së me disa proces-verbale të sigluara “sekret”, ku bëhet fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike të mbajtur më datat 2 dhe 3 korrik të vitit 1974 me temë “VEPRIMTARIA E RREZIKSHME DHE ARMIQISORE E BEQIR BALLUKUT”.Enver Hoxha dhe Byroja Politike filluan kritikat dhe akuzat e para ndaj ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, lidhur me përgatitjen e “Tezave të Këshillit të Mbrojtjes”. Të gjitha akuzat që iu bënë në atë mbledhje Ballukut nga Enveri dhe “shokët e Byrosë” si Hysni Kapo, Ramiz Alia, Manush Myftiu, Rita Marko etj., dhe si iu përgjigj Beqiri atyre….?! Si e komentoi Enveri dorheqjen që i kishte kërkuar Beqir Balluku dhe përse ai e lidhi atë gjë me sëmundjen e tij, ku midis të tjerash u shpreh: “Propaganda e Partisë për personalitetet duhet të jetë kurdoherë e matur dhe të mos ndodhë si para disa muajsh që, kur u sëmura unë (se edhe unë njeri si të gjithë jam), pati shokë që u alarmuan e thanë: «Ç’do të bëhemi ne, sikur të pësojë gjë shoku Enver!». Asgjë nuk do të bëhet, pse Partia është në këmbë, se në udhëheqje ka shokë të tjerë të zotë që kanë luftuar, se ecjen tonë përpara na e garanton uniteti i çeliktë i Partisë dhe i udhëheqjes.

VEPRIMTARI E RREZIKSHME DHE ARMIQISORE E BEQIR BALLUKUT

Diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH

2-3 korrik 1974

Shoku ENVER HOXHA: Ideja e këtyre «teoricienëve», sipas së cilës, epërsi dërrmuese në forca e mjete ndaj forcave të armikut në veprimin tonë sulmues mund të realizohet, si rregull, kryesisht në krah e në shpinë të tij dhe sidomos kur ato veprojnë të veçuara, me anën e dhënies së goditjeve të vogla, të shumta, të befasishme e të rrufeshme, e kthen luftën tonë në luftë partizane. «Të krijosh epërsi dërrmuese kundër forcave kryesore të armikut, që janë pykëzuar në mbrojtjen tonë, për asgjësimin e tyre njëherësh më një goditje të vetme të madhe, është e vështirë ose e pamundur», thonë ata. Atëherë, sipas jush, Beqir, ne e paskemi kot këtë ushtri të rregullt që kemi krijuar e stërvitur, e cila Partisë dhe popullit i ka kushtuar kaq shumë sakrifica dhe gjak. As vendin nuk e mbrojmë dot, siç mendoni ju, as armikun nuk e ndalim, as e kundërsulmojmë. Atëherë kot po lodhemi! Sipas jush, le t’i hyjmë vetëm luftës partizane.

Duket se këta njerëz s’janë fare në të, as politikisht, as ideologjikisht, as ushtarakisht! Dhënia e goditjeve të mëdha në formën e kundërsulmeve e të kundërgoditjeve me qëllime të tilla vendimtare që, sipas hartuesve të materialit, qenkan të paarritshme, nuk u bazoka në parimet e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, thonë autorët. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Kjo ide bazohet pikërisht në këto Teza që ç’ke me të dhe është një ide kryesore. Prandaj unë u rekomandoj shokëve të ushtrisë t’i rishikojnë një çikë më thellë këto teza të çoroditurish dhe gjithë veprimtarinë ku kanë mundur të ndikojnë këta njerëz në ushtri, të rishikohen, gjithashtu, me shumë kujdes edhe rregulloret.

Epërsi dërrmuese ndaj forcave kryesore të armikut, që është shumë më epror, nuk mund të krijohet, thonë ata. Por ne e kemi të qartë se armiku është superior në mësymjen e fillimit, por jo më vonë, pasi ta kemi rraskapitur dhe, sidomos, po të mos kemi shkuar në male që në fillim, siç kërkojnë të na çojnë këta teoricienë të fandaksur. S’është e vërtetë as ajo që thonë këta se kundërsulmet dhe kundërgoditjet qenkan veprime të detyruara nga armiku, si për vendin, ashtu edhe për kohën e dhënies së tyre në kushtet kur ai është superior, si në tërësi, ashtu edhe në drejtimin e dhënies së tyre.

Ato, vazhdojnë këta «teoricienë», nuk sigurojnë kushtet për marrjen e iniciativës së veprimeve në duart tona në shkallë taktike dhe operative. As kjo e ashtuquajtur tezë e tyrja nuk është e vërtetë. Armiku mund të ketë epërsi në një moment, por ne, si të kemi stabilizuar gjendjen, përgatitim nga ana jonë kundërsulmet dhe kundërgoditjet dhe e detyrojmë armikun të mbrohet. Ai na detyroi dhe na imponoi vetë luftën, se na sulmoi dhe asgjë tjetër. Arti ynë ushtarak është i tillë që pas sulmit të armikut, kthehemi ne dhe i imponojmë atij çdo gjë dhe më në fund i shkaktojmë disfatën e plotë. Për këtë ti, Beqir, nuk ke besim, por Partia, që nga anëtari më i thjeshtë i saj e deri në udhëheqje, këtë besim e ka të plotë.

Me tezat tuaja ju nuk jeni tjetër veçse disfatistë. Kundërsulmet dhe kundërgoditjet, që jepen me qëllime vendimtare kundër forcave kryesore të armikut, sipas tyre, i angazhojnë forcat tona në luftime e beteja të mëdha e të zgjatura dhe në këtë mënyrë ato nuk mund të jenë të rrufeshme, që të përfundojnë në epërsinë tonë në forca e në mjete! Dua t’i pyes: përse i angazhojnë forcat tona në luftime e në beteja të zgjatura? Dhe me çka propozojnë këta që lufta të mbarojë shpejt?! Sipas këtyre «strategëve» pesimistë del qartë se neve nuk na mbetet tjetër përveç të jemi «të rrufeshëm, marksistë-leninistë, trima» etj., po vetëm me fjalë, ndërsa, kur vjen puna, ata vetë «ua mbathin këmbëve».

Ju jeni mburravecë me fjalë, shoku Beqir, kurse me vepra jeni pesimistë, në brendi dhe në shfaqje, ju jeni disfatistë që pa filluar akoma lufta. Kështu paraqiteni ju në tezat tuaja të famshme që na propozoni, ose që i futët në dollap dhe i fshehët. Vlerësimi i drejtë i situatës në kushtet konkrete, vazhdojnë autorët e kësaj «pune», duke u përputhur subjektivja me objektiven, do të na çonte në konkluzionin për të mos i zhvilluar të tilla kundërsulme e kundërgoditje, gjë që do të shpinte në një mbrojtje pasive, duke i ulur asaj aktivitetin, që është kërkesa kryesore e mbrojtjes. Këta që mendojnë e thonë këto gjëra, janë demagogët e demoralizimit.

Tezat tona të kundërsulmeve dhe të kundërgoditjeve nuk përfaqësojnë as pasivitetin, as disfatizmin, kurse «tezat» e tyre, që në dukje janë «të rrepta e të zhdërvjellëta», në brendi janë një fanfaronatë. Me këto ide vazhdon, natyrisht, zhvillimi «logjik» i demonstrimit të tezave të tyre, që në fakt janë antiteza dhe të dënueshme. Këto ata i kanë ngritur në «ligje parimore», të diktuara nga «mençuria» dhe «zotësia» e këtyre ushtarakëve «të ndritur». Pra, në qoftë se pranojmë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, atëherë, sipas tyre e Beqir Ballukut, ne bëjmë lojën e armikut, ndërsa, po të përdorim «tezat» e këtyre mashtruesve, qenkemi në rrugën «marksiste-leniniste». Me një fjalë, ata ndjekin deri në fund avazin e tyre për të na mashtruar.

Lidhur me sulmet dhe goditjet ata vazhdojnë të thonë se këto jepen të rrufeshme dhe realizohen në kohë të shkurtër, kurse të tjerat, sipas tyre, nuk jepen të rrufeshme!! Të tjerat jepen me «vrapim breshke» dhe «me kurajë prej lepurash». Hajde, hajde «ç’teoricienë» pa kokë ose me «kokë kungull»! Sa besim ke ti, Beqir Balluku, me shokët e tu tek ushtria, tek udhëheqja dhe te Partia që e kanë ndërtuar këtë ushtri dhe e edukojnë atë me një punë këmbëngulëse?! Në një vend të materialit autorët nënvizojnë se «…në bazën e vendimit, që është ideja e luftimit, kryesore nuk duhet të jetë përcaktimi i rajoneve, nga mbrojtja e të cilave varet qëndrueshmëria e mbrojtjes në tërësi, por format e luftimit, mënyra e radha e asgjësimit pjesë-pjesë të forcave të armikut. Kjo, sipas tyre, qenka parimore dhe, i vini veshin, «tepër e rëndësishme», që ka lidhje me përdorimin e forcave kryesore, me faktin që ato do të përdoren për mbrojtjen e rajoneve të mbrojtjes apo për zhvillimin e aktivitetit të saj».

Kjo, do të thotë se rajonet e mbrojtjes, ku ne kemi derdhur djersë, dhe Partia ka derdhur mençuri për përgatitjen e tyre, nuk kanë asnjë rëndësi për ta! Sipas tyre: «Lufto si të mundësh dhe ku të mundësh». «Duke marrë parasysh se rolin kryesor e luan aktiviteti…, forcat kryesore të njësive operative, — vazhdojnë Beqiri dhe shokët e tij, — duhet të përdoren krejtësisht për aktivitetin, duke mos i hedhur ato edhe në zënien e mbrojtjen e brezave të mbrojtjes. Rrjedhimisht del se ndërtimi operativ i njësive operative në mbrojtje, sipas tyre, duhet të përbëhen nga forca të caktuara për mbrojtjen e brezave dhe të rajoneve të mbrojtjes të destinuara për dëmtim të rëndë të armikut, për frenimin dhe bllokimin e grupimeve kryesore të tij dhe nga forcat kryesore goditëse të destinuara për dhënien e sulmeve dhe të goditjeve të shumta e të njëpasnjëshme për asgjësimin pjesë-pjesë të forcave të armikut».

Kjo, sipas tyre, do të thotë që forcat operative të bëjnë gjumë të thellë, ose më drejt, këtyre s’kanë ç’u interesojnë zonat e mbrojtjes. Këto zona i kanë në kokë Beqiri me Spiro Shalësin, që i mbrojnë me teoritë e Akademisë Ushtarake Italiane të Modenës apo ku gjetkë ka mësuar ky i fundit. Në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, theksohet në materialin e tyre, këto goditje qenkan quajtur kundërgoditje. Një emërtim i tillë, mendojmë ne, nuk është i saktë, për arsye se në të karakterizohen tiparet e go ditjeve që jepen me iniciativën tonë, me qëllime vendimtare e të befasishme, jo si masë kundërveprimi në mbrojtje, por si pjesë përbërëse e mësymjes. Çfarë po llomotitin kështu këta njerëz, kur ne e dimë se kundërmësymja strategjike është një proces. relativisht i gjatë, vjen si rrjedhim i kalimit nga mbrojtja në kundërsulme të shumta, të befasishme, të rrufeshme dhe asgjësuese, me kalimin pastaj nga kundërsulmet në kundërgoditje, duke përgatitur kështu kalimin në kundërmsymje strategjike për asgjësimin e tij. Në pjesën për organizimin dhe zhvillimin e operacioneve në mbrojtje, autorët e materialit, midis të tje rash, vazhdojnë të thonë se forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore mund të përdoren për mbrojtjen e rajoneve të mbrojtjes, me qëllim që me zjarr e me kundërsulme të gjakosin rëndë armikun dhe të frenojnë e të bllokojnë mësymjen e tij, ndërsa forcat kryesore të njësive që mbahen të paangazhuara me mbrojtjen e brezave dhe të rajoneve të mbrojtjes të përdoren për dhënien e goditjeve të njëpasnjëshme.

Sipas këtyre «teoricienëve», teza që kanë sajuar do të thotë që ne të futim në thellësi forcën më të gjallë e më të fuqishme të ushtrisë «për ta ruajtur në konserva», ose më mirë për t’i krijuar disfatën apo edhe për ta zëvendësuar me forcën vullnetare të vetëmbrojtjes, që ka një rol ndihmues, por që nuk mund të zëvendësojë të parën. Tezat e Këshillit të Mbrojtjes janë shumë të qarta për detyrat e forcave të vetëmbrojtjes popullore. Dhe më poshtë, po në këtë pjesë që bën fjalë për organizimin e operacioneve në mbrojtje, ata thonë: «Ndërsa trupat që sigurojnë qëndrueshmërinë e mbrojtjes frenojnë dhe bllokojnë mësymjen e armikut… forcat operative goditëse i japin armikut goditje shkatërruese», se, natyrisht, u duhet ta thonë edhe këtë. Ç’duan të thonë këta me shprehjen: «Frenojnë dhe bllokojnë forcat e armikut»?

Mos vallë këta «teoricienë» e kuptojnë, dhe mua kështu më duket se e kuptojnë: «Qëndro, o armik ca, që të çlodhemi, të pimë nga një kafe!». Këta i nënvlerësojnë krejt forcat në pozicionet e mbrojtjes, kanë idenë se këto «po sakrifikohen kot», prandaj thonë: «Lini pozicionet e mbrojtjes, ejani vërdallë nga pozicionet e Durrësit dhe brenda natës gjenduni në Dajt a në Skuterë». Në qoftë se organizimin e mbrojtjes dhe drejtimin e operacioneve ne do t’i linim ashtu siç këshillojnë Beqiri me shokë, edhe në kohën e luftës, Partia duhet të marrë masa që të na pushkatojë që tani dhe jo nesër.

Për sa i përket ndërtimit të Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore për perfeksionimin e mëtejshëm të strukturës organizative të forcave tona të armatosura, autorët thonë në një vend: «… njësitë e këmbësorisë, që t’u përgjigjen kërkesave të forcave operative goditëse, duhet të lehtësohen nga armatimi dhe teknika e rëndë luftarake dhe të plotësohen me efektiva të moshave të reja, në mënyrë që të jenë më të lehta dhe më të manovrueshme». Me një fjalë, këta kërkojnë të na çarmatosin krejt me një pikëpamje të tillë, pse sipas tyre, forcat operative ne duhet t’i kthejmë në «pendë bersalierësh», t’u mësojmë edhe vrapin e tyre dhe armët e rënda të fuqishme t’i çojmë gjoja përpara, «atje ku duhet».

Dhe kësaj “atje ku duhet” nuk i japin asnjë rëndësi, pse edhe atë e katandisin në diçka krejt të lëvizshme, «mobile». I keni menduar thellë ju këto gjëra? Kjo është djallëzore, Beqir Balluku, dhe Partia nuk e ha, pasi do të thotë që armët e rënda t’ia dorëzojmë armikut. Atëherë, derisa për ju çdo gjë është e lëvizshme, përse nuk i hedhim që sot nëpër furra ose në lumenj armët e rënda, mbasi nuk mund të tërhiqen, prandaj le t’i flakim që tani, sepse, sipas tezës suaj, u dashka që ushtrinë ne ta kemi të armatosur lehtë. Si konkluzion, Tezat, siç shihet, janë rezultantet e një eksperience të tërë të Ushtrisë sonë Popullore, pa harruar Luftën Nacionalçlirimtare, që, në kushtet e kohës kur u zhvillua, ishte rruga e vetme e çlirimit të atdheut, e marrjes së pushtetit dhe e veridosjes së diktaturës së proletariatit.

Tezat janë një orientim i dhënë nga udhëheqja e Partisë për edukimin e ushtrisë, për mbrojtjen e atdheut socialist nga çdo sulm armik, nga çdo anë dhe në çdo kohë që ai mund të vijë. Ato mbajnë parasysh armikun ose armiqtë me arsenalet e armëve të tyre, me t’aktikën dhe me strategjinë e luftës së tyre dhe kundërvënien me sukses agresdrëve të forcave tona të armatosura, gjithë popullin ushtar, me taktikën dhe me strategjinë tonë të luftës popullore. Të tilla janë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe me ato nuk mund të bëhet shaka. Lufta partizane përbën një eksperiencë të madhe jo vetëm për ata që nuk e kanë bërë, por edhe për ata që e kanë bërë. Kjo e tillë duhet të jetë dhe nuk duhet të harrohet. Ata që e kanë bërë luftën partizane, këtë eksperiencë jo vetëm nuk duhet ta harrojnë, por ta rikujtojnë dhe ta përdorin drejt.

Mund të duket si çudi kur e them këtë, por konstatoj se këta që po na nxjerrin të tilla teorira, nuk kanë mundur ta tretin dot si duhet atë eksperiencë të madhe të luftës partizane, nga e cila nuk kanë ditur ç’të vlerësojnë, ç’të marrin e pastaj ç’të lënë. Kjo, sigurisht, vjen se ata kanë pasur boshllëqe në Luftën Nacionalçlirimtare. Vetë ti, Beqir, ke pasur boshllëqe në këtë luftë, gjë që nuk duhet ta harrosh, bile këto përbëjnë tek ti një vazhdë të tërë. Nga të tilla boshllëqe këta njerëz nuk kanë nxjerrë mësime. Jo vetëm kaq, por, me kalimin e kohës, këto boshllëqe e dobësi të vërtetuara që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ti i ke zvogëluar e i ke lustruar dhe i ke kthyer në “taktika”, në kompleksin e taktikave të drejta leniniste të luftës partizane.

Unë nuk e kam lexuar historikun e Brigadës II, se nuk ma ka dërguar. njeri, por kam lexuar disa komente që janë botuar lidhur me veprimtarinë e saj dhe me të vërtetë jam zemëruar, për arsye se në to gjendja paraqitet sikur çdo veprimtari e kësaj brigade shkëlqen, sikur çdo aksion është bërë me mençuri, me zotësi, me taktika, sikur çdo luftim e çdo goditje, deri edhe çdo shpërndarje apo shpartallim, qenkësh bërë me qëllime plotësisht të paramenduara, bile të komanduara deri edhe nga unë apo nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Kam dëgjuar se i paskan bërë edhe një himn Brigadës II. Me këto që them nuk dua të ul vlerën e saj, por veç këtë vlerë t’ia japim aq sa e meriton, jo më tepër. Në qoftë se dëshirojmë ta mësojmë popullin dhe ushtrinë tonë me eksperiencën e Luftës Nacionalçlirimtare, ne duhet t’ua themi atyre edhe të mirat, edhe të këqijat, edhe fitoret, edhe gabimet që janë vërtetuar gjatë zhvillimit të saj. Të bëjmë shumë kujdes që ekzaltimet dhe pohimet e rreme absolutisht të ndalohen në hartimin e historikëve të rretheve, të njësive e të reparteve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Historia duhet të jetë reale, prandaj kudo të vihen mirë pikat mbi i. E theksoj këtë posaçërisht për ty, Beqir, ose për ata që donin të të bënin qejfin ty, të cilët Brigadën II, për të mos thënë që e kanë ngritur mbi brigadat e tjera më të mira, të paktën e kanë vlerësuar afër tyre.

Po përse e kanë bërë ata këtë? Për të të bërë qejfin ty. Ka te ne edhe të tillë kuadro, elementë arrivistë, që nuk duan të prishin qejfin me shokët përgjegjës, me qëllim që të ruajnë pozitat, bile përpiqen që këto pozita në rrugë të shtrembër t’i përforcojnë dhe të ngrihen më lart, duke hedhur në shkrimet që bëjnë gjëra të paqena. Në disa nga këto shkrime është arritur deri në ngritjen e kultit të personit. Mirëpo këto gjëra të paqena i kushtojnë shumë atdheut dhe Partisë. Neve nuk na lejohet ta harrojmë mësimin e madh të Marksit për këtë çështje. Mund të na duket e ëmbël momentalisht një gjë e tillë, mund të përmendet orë e çast e çdo minutë nga propaganda emri im ose i shokëve të tjerë, por kalimi i kufirit nuk është i drejtë as për mua, as për ju. Të gjithë duhet të na karakterizojë në çdo rast thjeshtësia. Por, edhe kur është e nevojshme që dikush nga ne të përmendet, kjo të bëhet sa duhet, të jetë e matur, sepse ja se si ndodh. Puna që ka bërë Beqir Balluku aktualisht është armiqësore. Partia këtë s’ka frikë ta thotë dhe medoemos do ta thotë. Ajo, gjatë tërë jetës së saj, kurrë nuk ka pasur frikë nga elementët që e kanë tradhtuar ose që i janë kundërvënë.

Megjithatë, një përshtypje veprimtaria antiparti e Beqirit do të bëjë, vetë marrja e masave të drejta partie dhe shtetërore kundër tij, do të lërë te disa njerëz ndonjë turbullirë. Beqir Balluku dy-tri herë më ka parashtruar mua dorëheqjen (më pas do të flas pak edhe për këtë çështje), por i kam theksuar se një kërkesë e tillë, edhe sikur të bëhet me të vërtetë për arsye shëndetësore, më mirë ta lërë që ta gjykojë Partia, sepse dhënia e dorëheqjes ka anën e brendshme, por ka të bëjë edhe me propagandën që bëjnë armiqtë e jashtëm. Me këtë dua të them që propaganda e Partisë për personalitetet duhet të jetë kurdoherë e matur dhe të mos ndodhë si para disa muajsh që, kur u sëmura unë (se edhe unë njeri si të gjithë jam), pati shokë që u alarmuan e thanë: «Ç’do të bëhemi ne, sikur të pësojë gjë shoku Enver!». Asgjë nuk do të bëhet, pse Partia është në këmbë, se në udhëheqje ka shokë të tjerë të zotë që kanë luftuar, se ecjen tonë përpara na e garanton uniteti i çeliktë i Partisë dhe i udhëheqjes.

Unë jam si gjithë të tjerët, një komunist, që Partia më ka dhënë një detyrë me përgjegjësi, të cilën duhet të jem korrekt dhe i vendosur që ta kryej si duhet derisa të kërn mendje dhe fuqi. Kur të vijë koha që ndonjëri nga ne të vdesë, dhe kjo kohë do të vijë, është e natyrshme, atëherë të rrojë Partia, të rrojnë Komiteti Qendror dhe Byroja Politike e kështu me radhë, pse jemi të sigurt që puna prapë do të ecë gjithnjë e më mirë. Natyrisht, këto shqetësime të shokëve i kanë rrënjët te dashuria që tregon populli jo vetëm për mua, po për gjithë udhëheqjen e Partisë. Puna është që – masave të Partisë dhe të popullit, në rrugën marksiste, t’ua bëjmë të qartë edhe këtë çështje, në mënyrë që në asnjë rast të mos arrijnë në konkluzione dëshpërimi, përkundrazi të kenë besim të plotë në vazhdimësinë e veprës së Partisë.

Këtë ne e kemi thënë kurdoherë. Ca më tepër është e dëmshme dhe e dënueshme të pomposh opinionin për veten tënde dhe për brigadën që ke drejtuar në mënyrat se si është vepruar në Brigadën II, jo nga pikëpamja se do të na ngjasë gjë, se këtë nuk e lejon Partia, por çdo komunist, duke përfshirë udhëheqësit, kur të hedhë çapin, të mendojë më parë interesin e Partisë dhe të popullit, pastaj interesin personal, i cili nuk duhet vënë kurrë mbi interesin e përgjithshëm. Ne rrojmë, luftojmë dhe punojmë për interesin e madh të Partisë dhe të popullit. U largova ca nga ajo që preka pak më parë lidhur me boshllëqet që ti Beqir ke pasur në Luftën Nacionalçlirimtare, të cilat me kalimin e kohës, siç thashë, i ke zvogëluar dhe ilustruar, duke i kthyer në kompleksin e taktikave të drejta marksiste-leniniste të luftës partizane, por Partia asnjëherë nuk e ka përzier shapin me sheqerin.

S’ka të bëjë aspak me strategjinë dhe me taktikën e luftës partizane ajo që nga dobësia drejtuese e komandës ose e komandantit, nga paniku dhe nga mungesa e ngritjes politike, të shpartallohet e të bëhet fije-fije reparti. Ti e di fare mirë se veprime të tilla Partia i ka dënuar rreptë dhe në kohën e duhur. Çështja tjetër që harrojnë Beqiri dhe shokët e tij është ajo që sot Shqipëria është një shtet dhe një shtet socialist. Mund të duket si çudi, kur e them këtë, por, derisa këta e ekskludojnë ose e minimizojnë mbrojtjen frontale, kjo do të thotë të mos kenë kuptuar si duhet parimin «duhet mbrojtur çdo pëllëmbë tokë e atdheut», «duhet mbrojtur Shqipëria socialiste».

Koncepti i tyre në mbrojtjen e këtij shteti socialist, të organizuar dhe me një ushtri moderne në këmbë, është që këtë shtet ta mbrojmë me luftë partizane. Këto koncepte janë shumë të gabuara dhe pikërisht Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk e lejojnë rënien në të tilla gabime. Mund të gabosh vetëm me dashje. Në Tezat e Këshillit të Mbrojtjes jepet e duhet të jepet drejt edhe ç’është lufta partizane. Por çdo gjë në Tezat është frymëzuar nga ideja që ne nuk duhet të hidhemi në luftën partizane me ushtrinë tonë të rregullt. Kjo të kuptohet mirë. Ne duhet ta evitojmë në ekstrem luftën partizane dhe të luftojmë me të gjitha forcat e mjetet që kemi për ta shkatërruar armikun që në ditët e para, kurse këta njerëz mendojnë krejt ndryshe.

Shokët që zhvillojnë të tilla teorira si njerëz të mësuar ushtarakë, por çështjet ushtarake nuk mund të merren kurrë të shkëputura nga situatat politike dhe ekonomike, nga strukturat shtetërore, nga forma e shtetit dhe nga ideologjia që i frymëzon e i udhëheq të gjitha këto. Në këto çështje, gjithashtu, nuk mund të mos mbajmë parasysh të gjitha këto të dhëna dhe të tjera për anën tjetër, domethënë, për anën e armikut. Kurse Tezat e Këshillit të Mbrojtjes të gjitha i mbajnë parasysh. Këta shokë «të ditur», pavarësisht se flasin fjalë të mëdha, nuk duan t’i kenë të qarta këto çështje. Edhe tash që kanë në dorë gjithë eksperiencën e Partisë, nuk duan ta kuptojnë se lufta e ardhshme partizane, megjithëse do të ruajë tiparet parimore të luftës partizane të kaluar, do të ndryshojë nga e para jo vetëm nga «taktika e sulmeve dhe e goditjeve» (po përdor fjalët e tyre), por edhe nga shumë aspekte të tjera.

Këta shokë, ngaqë nuk i lë mendjemadhësia, meqenëse qëndrojnë në pozita drejtuese të ushtrisë, harrojnë si filloi lufta partizane, sa djersë, sa gjak e ç’sakrifica të mëdha iu deshën popullit dhe Partisë gjersa arritën të krijonin çetat, batalionet, brigadat etj. Të mos i harrojmë të gjitha këto. Nuk erdhën të tërë, me dhjetëra mijë njerëz menjëherë, për të mbushur radhët e njësiteve ushtarake të Luftës Nacionalçlirimtare. Ky ishte një proces i gjatë e i vështirë, por heroik. Çfarë t’ju them unë për të? Atë e kemi jetuar të tërë. Dhe vija e drejtë e Partisë solli fitoren. Nga lufta partizane u krijua Ushtria Popullore. Në ato kohë të vështira dhe heroike të Luftës Nacionalçlirimtare Partia s’kishte asgjë, të gjitha ajo do t’i fitonte dhe i fitoi. Partizanët kishin malet, këndej do të fitonim qytetet dhe i fituam.

Partizanët nuk kishin që në fillim «një ushtri të rregullt e moderne», por këtë do ta krijonin vetë çika-çika me luftë e me gjak dhe e krijuam. Po sot, pyesim Beqirin dhe të tjerët që mendojnë si ai, kështu është situata si 33 ose si 35 vjet më parë? Jo, do të përgjigjet Beqiri dhe në këtë s’kam asnjë dyshim, por, në realitet, kur këta paraqitin tezat e tyre të gabuara, e fshijnë realitetin e madh. Po pse? Ata edhe duke e ditur, dashur padashur harrojnë që Partia ka ndërtuar sot një ushtri të gjerë e të fuqishme, së cilës i ka caktuar një objektiv të madh e real. Të gjitha ato, që, siç thashë më lart, nuk i kishim kur filluam luftën partizane, tani i kemi dhe të çelikta, të ndërtuara në bazë të ideologjisë marksiste-leniniste. Dhe sot këtë ushtri ta kthejmë në një ushtri partizane? Jo, thonë me druajtje ata, por tezat që na paraqitin, vërtetojnë të kundërtën e thënies së tyre.

Luftën partizane ne e filluam kur armiku na kishte zaptuar atdheun. Tash nuk do t’i lëmë terren armikut. Por, edhe në qoftë se përkohësisht armiku do të pushtojë ndonjë rajon të veçantë, në terrenin e zaptuar prej tij ne do të zhvillojmë veprime sipas taktikës së luftës partizane. Megjithatë, as për këtë mënyrë të luftuari këta shokë nuk i kanë të drejta konceptet. Veprimet taktike të luftës partizane do të jenë shumë më të larta se ato që bëmë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, për arsye se repartet partizane nuk do të formohen fije-fije si atëherë, ato janë që sot të organizuara, me çdo gjë që u nevojitet. Njerëzit në këto reparte politikisht dhe ideologjikisht qëndrojnë shumë lart, janë të stërvitur ushtarakisht, ata janë, me një fjalë, partizanë të një cilësie tjetër, janë, si të thuash, partizanë të një shteti socialist të fuqishëm, ushtarë të vendosur të Partisë dhe të diktaturës së proletariatit.

Nuk e shikon ti, Beqir Balluku, këtë ndryshim të madh? Veç kësaj, këto reparte në kushtet e sotme nuk do të luftojnë të izoluara, pavarësisht se do të jenë në prapavija të armikut, pse krahas tyre ato do të kenë një ushtri të madhe e të fuqishme që lufton në front të gjerë dhe i shkakton armikut humbje të mëdha. Këtë herë i gjithë populli është në këmbë me armë në dorë, kësaj radhe nuk kemi nëpër këmbë organizata reaksionare si Balli Kombëtar, Legaliteti e gjithfarë kuislingësh që të na pengojnë. Të frikshëm, po, do të ketë patjetër. Disa prej tyre ne do të përpiqemi t’i frymëzojmë, mund të dalin edhe disa tradhtarë, po këta do t’i shtypim, do t’i shfarosim. Pra, si bëhet që ti, Beqir, me shokët e tu i shtroni shtrembër dhe’gabim këto çështje që Partia na i ka bërë të qarta? A nuk mendoni ju se, po t’i shtrembërosh mësimet e Partisë në këto çështje kapitale të mbrojtjes, tradhtoni atdheun dhe Partinë, u bëni atyre një dëm të pallogaritshëm? Këto nuk janë çështje të vogla, siç mund të jetë organizimi i ndonjë reparti apo shtimi i ndonjë arme të re këtij apo atij reparti, që edhe këto për mbrojtjen kanë rëndësinë e tyre të veçantë, por nga zbatimi i drejtë ose jo i parimeve të Partisë dhe i Tezave të Këshillit të Mbrojtjes për mbrojtjen e vendit varet fati i atdheut dhe i socializmit. Shfaqjet e sëmura dhe të dënueshme nuk duhen konfonduar asnjëherë me përpjekjet për plotësimin, për korrigjimin apo për përmirësimin e një direktive. Jo! Të parat e kanë burimin te megalomania, tek ambiciet, te nënvleftësimi i forcave të atdheut dhe te mbivlerësimi i armikut, gjë që te këta njerëz ngjall frikë e panik.

Marrë nga Memorie.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here