Nga Artan Fuga/
Në këto vite kur politika sundon gjithçka dhe bën shiun, erën, diellin, tërmetet, cunamitë, është krejt e çuditshme se ajo ka sulmuar veç pushteteve të tjera, me përparësi ka goditur universitetin. Ka vend për t’u shpjeguar kjo që ka ndodhur. Përse kanë goditur, plackitur, grabitur, bërë fërtele, leckë rrëzuar përdhé kështjellën universitare ?
E di që sapo bëj këtë pyetje, të gjithë kanë përgjigjen e tyre. Por, unë nuk dëshiroj të nxitohem. Më parë le t’i marrim faktet një e nga një, me sira.
Me cfarë e provoj unë që skifterët e politikës na knë grabitur ne harabelat, ne laraskat, ne delet e universitetit ? Kur krahasoj ne universitarët me « laraska », « dele », « harabela », e bëj duke përdorur edhe metaforën « trumcakë » sepse para kësaj grabitjeje të dhunëshme ne jemi struktur, trembur, nuk kemi ditur të mbrojmë dhe t’i dalim zot një pasurie që nuk ishte jona, por populli na e kishte besuar për t’a përdorur për të mësuar e emancipuar fëmijët e tij.
Ne trumcakët u stepëm nga skifterët.
Le t’i marr me rradhë ; Pastaj do të bëj dhe dy thirrje në fund që t’i dëgjojnë kolegët e mi universitarë cep më cep të Shqipërisë dhe mbase vihen në mendime.
Të përmend megagrabitjet :
1. Kishte një palestër universiteti që mund të përdorej edhe nga studentët e universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik. Njê palestër e mrekullueshme, plot dritë dhe ajër e hapësira të gjera, që për ata që nuk e dinë, gjendet ngjitur me Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Më kujtohet kur si studentë e shfrytëzonim lirisht, më vonë edhe si pedagog, dhe që ka kaluar me mijra studentë që atje kanë harxhuar orë të mrekullueshme për estetikën dhe shëndetin e trupit.
Me dhjetra e qindra, ose mijra talente sportive studentore kanë kaluar andej gjithashtu. Për të mos folur për arkitekturën e saj, estetikën dhe klasin e lartë, veshur me mermer, pjesë e kompleksit neoklasik të godinave universitare në sheshin që sot quhet Nënë Tereza. Sot politika na e ka grabitur dhe ja ka dhënë prej vitesh një agjencie të huaj dhe i merr besoj qiratë.
A ka mundësi qeveria të llogarisë në miliona euro dëmin që i ka sjellë universitetit si të tillë duke e grabitur këtë pasuri, thesar financiar dhe kulturor, a ka mundësi të kthehet andej ku është grabitur bashkë me të gjithë fitimin e munguar, pra me gjithë shumat e qirave që janë paguar për atë godinë madhështore.
Sot studentët në orët e mjera të fiskulturës, bashkë me pedagogët, jargaviten baltovinave. A e dinë diplomatët europianë që punojnë në atë godinë se janë strehuar në një godinë të grabitur ?
2. Kishte një bibliotekë të mrekullueshme universitare pak më tutje që përdorej edhe nga studentët e Universitetit të Tiranës dhe të universitetit Politeknik. Një qendër që në vitet 70 ishte një agjenci bibliotekare që përhapte liberalizëm, dije, oksident, dhe prandaj edhe u godit nga diktatura. Por, gjithsesi e vazhdoi funksionimin e saj. Me bodrumet ku kishte mijra volume librash të vyer, të grumbulluar me mund e me zgjuarësi nga pedagogët dhe specialistët e bibliotekës. Në sallat e saj veshur me mermer, plot dritë, me dritare të gjata ku shihesh gjelbërimi i pemëve përreth, studionin qindra e qindra studentë në ditë si edhe ishte streha e pedagogëve studiozë.Një mrekulli arkitekturore që diktatura ja kishte blatuar universitetit. Nuk e di përse dhe si. Muhabet më vete ky.
Ku është sot kjo bibliotekë ? Mjerim i madh. Eshtë kthyer në zyra, ndofta edhe jepet me qira a nuk e di se çfarë bëhen një pjesë tjetër e bibliotekës që universitarët, pedagogë dhe studentë, e humbën.
A ka njeri që vallë e mat këtë dëm kulturor ku bibliotekat kthehen në zyra ? Po atë që humbën studentët dhe pedagogët ? Sepse shteti nuk gjente dot zyra për rektoratin që sigurisht diku duhej të strehohej qoftë dhe përkohësisht.
3. Kishte një ndërtesë të mrekullueshme dhe impozonte aty te Rruga e Kavajës, fshehur pas pemësh dhe muresh të lashta plot mister që strehonte atë që quhej Muzeu i Shkencave të Natyrës. Unë nuk kam kryer studime për shkenca natyrore, por si ish student i filozofisë kam pasur rastin që pedagogët e mi të biologjisë dhe fizikës të na conin për vizitë atje. Cfarë mrekullie ishte strehuar atje nga flora, e më gjerë, e vendit. Të hapeshin sytë. Për të gjithë publikun besoj ishte një thesar. Imagjinoni për studentët e fakultetit të shkencave të natyrës !
Kur në Londër kam vizituar nga mëngjesi në darkë Muzeun e evolucionit të specieve, kam kujtuar Muzeun e Shkencave të natyrës të viteve 70 që kisha vizituar atëhere në atdheun tim. Dhe jam ndjerë krenar për punën e universitarëve shqiptarë që me aq përkushtim dhe dashuri kishin punuar. Sigurisht nuk mund të krahasohej me muzetë e një fuqie ish koloniale, por për fuqinë shqiptare ishte një xhevair i rrallë.
Ku është ai sot zotërinj të politIkës dhe të qeverive ? I rrafshuar, trualli i përdorur si terren ndërtimi.
A mundet ju lutem në emër të transparencës që i bini si daulle të na përllogaritni sesa miliarda ka humbur universiteti nga rrafshimi i kësaj ndërtes dhe i pasurive brenda saj ? A mendoni se çfarë plage e rëndë na është shkaktuar zonja dhe zotërinj universitarë, dhe ne si trumcakë në stinë dimri jemi shpërndarë o burra kush të iki pa parë skifterët çfarë i kanë bërë dijes dhe botës të arsimit ? Nuk po flas për coptimin tej e tej të kopshtit botanik.
4. Kishte terrene në ajër të hapur që ishin destinuar për veprime sportive aty poshtë kodrës të qytetit « Studenti ». Ishin gëzimi i studentëve në dekada sidomos në stinët e vjeshtës dhe të pranverës. Terrene sportive, fusha basketbolli dhe futbolli për veprimtari brenda dhe jashtë kurrikulare. Kishte sezone që ato ngjanin me terrenet sportive që më pas i pamë në universitetet më të mira të Perëndimit. Vlera e tyre financiare pastaj edhe edukative e kulturore e shëndetësore ka qenë e pamatshme. Financiarisht mund të jetë e barabartë me miliarda.
A e dini se edhe ato i përdor Bashkia e Tiranës për parkingje dhe i kanë dalë jashtë dore si Universitetit të Tiranës ashtu edhe Universitetit Politeknik ?
Dhe për të legjitimuar këtë grabitje të skifterëve të politikës lokale dhe qendrore, ka shërbëtorë të zellshëm brenda nesh zonja dhe zotërinj universitarë që tani bëjnë çmos ta heqin krejtësisht edukimin sportiv nga programet universitare.
Lepuri fle te ideja që ato terrene të shpallen de facto dhe de jure si të padobishme.
Kthejini ato terrene skifterë të politikës, mjaft na trajtuat si trumcakë ! A e kuptoni o miqtë e mi lepuj si unë se kam një muaj që i kam kërkuar zyrtarisht administratorit në mbledhje të senatit të Universitetit të Tiranës, përpara se të plasnin revoltat studentore, të më japi sqarime për ato terrene, dhe nuk ndihet kush !
A e dini studentë dhe studente se çfarë pasurie miliardashe ju është grabitur nuk e di se nga kush ? Për shkakun se ne pedagogët tuaj jemi trumcakë trima në tavolina kafenesh dhe lepuj në hapësirën publike.
5. Kishte terrene të lira në oborret e fakulteteve të Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit Politeknik që jo vetëm krijonin një mjedis rehatie, bollëku dhe qetësie për studentët, por edhe mund të përdoreshin për veprimtari ndihmëse të procesit mësimor. Shihni te fakulteti ekonomik, te inxhinjeria e ndërtimit, te fakulteti juridik, te filologjiku, e kudo, sesi këto terrene brenda ish oborreve të fakulteteve u tjetërsuan gradualisht dhe u dhanë për ndërtim ose për veprimtari tregtare pa asnjë lidhje as me shkencën dhe as me arsimin universitar ?
Në kuadrin e transparencës a mund ta dimë sesa qindra e qindra metra katrorë truall të dorës të parë kanë humbur Universitetet brenda vijës të verdhë të Tiranës duke u ngushtuar nga viti në viti ? Sa miliona e qindra milionë lekë bëjnë të gjitha këto ?
A mendoni zonja pedagoge dhe zotërinj pedagogë, trumcake dhe lepuj sikurse jemi treguar sesa kanë humbur universitetet tona, nga frika dhe indiferentizmi ynë, nga tjetërsimi i këtyre hapësirave ? Aty mund të ndërtoheshin nga vetë universitetet konvikte, salla studimi, mjedise bibliotekash, kurse tani studentët tanë duhet të studjojnë në mjedise cip mbi cip që nga Materniteti te Rruga e Elbasanit duke vazhduar andej nga Lana !
Kush i ka grabitur zotërinj skifterë ? Ju pyet një lepur si unë.
6. Kishte një shtëpi botuese shumë performante dikur Universiteti i Tiranës. Botonte perla të studimeve të korifejve të shkencës shqiptare.
Ku është, cfarë u bë ? E di njeri ? Botonte me modesti, por me cmime të matura, tamam për studentë. Ishte një nga asetet më të rëndësishme të Universitetittë madh shqiptar. Një qendër që rrezatonte dije me redaktore dhe administratore që ta kishte qefi t’i shihje sesi punonin dhe çfarë profesionalizmi kishin në punë.
Tani pedagogët botojnë në shtepi private botuese dhe një pjesë e tyre masakrohen nga interesa private. Të tjerë me thasë në krahë shesin librat e tyre dhe disa madje edhe pa ISBN sikur të ishin materiale klandestine, ta zemë romani Nëna i Maksim Gorkit në kohën e Carit të Madh të Rusisë.
Kush e mori atë vendim makabër a mund ta dimë ne lepujt e vegjël, ne lepurushët që shtypemi nga ndonjë baron në aleancë me skifterët e politikës ?
E dini zonjusha studente dhe zotërinj studentë se sa lekë, miliona, ikin nga xhepat tuaj, pikërisht sepse baron portokalli firmosi prishjen e shtëpisë botuese u niversitare.
7. Kishte konvikte dhe menca universitare që dikur menaxhoheshin nga universitetet. Ku një pjesë e konsiderueshme e rinisë studentore modestisht përpiqej të zëvendësonte shtëpinë e ngrohtë. Latat e famëshme studentore ishin shpëtimi për studentët me pak mundësi financiare. Por, edhe në Tiranasit vdisnim të shoqëronim shokët dhe shoqet tona konviktore për të ngrënë jo rrallë në ato menca me latat e miqve tanë, si fshehurazi.
Ku janë sot këto menca dhe këto konvikte që u tjetërsuan nga duart e universiteteve dhe ranë në duar që kërkojnë fitim, fitim, fitim.
Nuk ka ku pi një kafe studenti i shkretë. Palé të hajë një paçe me pilaf të mbledhi stomakun ! Byreqe, byreqe, byreqe. Vetëm byreqe sepse përreth godinave universitare lulëzon vetëm privati që duhet t’a kesh rrogën e profesorit, të kesh edhe një aktivitet privat gjysëm të fshehtë mbështetur nga bashkia, me gjyshin emigrant, që të hash një drekë.
A na bëni pak transparencën financiare të menaxhimit të këtyre aseteve që dikur ishin universitare dhe kush i përlan fitimet dhe përfiton nga investimet ?
8. Sepse në vend që universiteti të menaxhojë vetë hapësirat për aktivitetet ndihmëse, në lokalet universitare lulëzojnë shërbime private që nuk dihet se kush, kur, pse i ka dhënë me qira. A nuk mundet që vetë universitetet t’i marrin përsipër këto aktivitete ?
A mundet të bëhet pak transparenca për ne lepurushët, trumcakët, delet, se kujt i janë dhënë me qira këto hapësira, me cfarë tenderash, me cfarë konflikte interesi, dhe si përdoren këto të ardhura ? Sepse që ta dini ju të nderuar zotërinj studentë dhe zonjusha studente këto qira edhe kur merren për ato shërbime, në fakt janë pagesa të tërthorta që ju bëni dhe që shkojnë në duart e privatëve.
Janë miliarda të grabitura nga politika dhe që ne lepujt, trumcakët, delet universitare i kemi lënë të na i marrin.
9. Zëra të besueshëm më konfirmojnë që universiteti ka paguar paradhënie shuma marramendëse për ndërtime kampusesh ose mbikatesh apo sallash që nuk janë bërë ende. A ka mundësi që ne lepujve të na bëhet transparenca përsa më sipër ? Kush i ka marrë ato parà, me urdhër të kujt, fimosur nga kush ?
Nëse këto konfirmohen unë si një trumcak them se ky do të ishte një tërmet i rëndë.
Dhe pasi politika u ka marrë miliarda studentëve tani duket sikur u bën nder që ta lëpijnë lëpirësen e përgjysmimit të tarifave për bachelorin me kusht që ta kenë notën mbi 6 !!!
Ne të grabiturit po na ramburson therrime grabitësi !
Grabitësi na ka rrëmbyer pasuritë dhe tani (politika në përgjithësi) na qetëson duke na hedhur ca thërrime.
Cfarë dreqin ka pasur me universitetin politika ?
E para sepse nuk duron një pushtet më të ditur sesa veten. E dyta sepse e di që ne universitarët jemi lepuj dhe i lëshojmë pa çak e pa bamb pasuritë që na japin për të administruar. E treta sepse jetojmë në një shoqëri që nuk e do diturinë sepse është shoqëri kioskash. E katërta, sepse politika do një qytetar mundësish budalla pra pa dije. Këtu universiteti i ngatërrohet nëpër këmbë.
Por, edhe se midis nesh lepuj, trumcakë, pula, gjela të tredhur, pulastrenë, ka edhe dhelpra që ua japin pasuritë tona skifterëve të politikës. Aleanca e dhelprave universitare dhe skifterëve të politikës i ka zhveshur universitetet nga asete që vlejnë miliarda.
Tani dy thirrje : Zotërinj skifterë të politikës kthejuni studentëve dhe neve lepujve universitarë pasuritë që na keni grabitur. Ne lepujt nuk e meritojmë, por studentët e revoltuar duhet t’a dinë se varfërimi i tyre ka ardhur sepse universitetet shqiptare janë grabitur nga politika.
Të dashur lepuj, trumcakë, pulastrena trima, si puna ime, a ka mundësi të kërkojmë transparencë për të gjitha humbjet që u kanë shkaktuar universiteteve këto grabitje ? A mund të kërkojmë kush ka firmosur, përse, cilin ka pyetur dhe a e meriton më besimin tonë A mund të Kêrkojmê rikthimin e mallit te i zoti ? A mund të kërkojmë çdëmtim të majmë?