Një bankë në Milano të Italisë është grabitur teksa autorët arritën të futen duke hapur murin në një piceri ngjitur.
Grupi i grabitësve dyshohet të jetë përbërë nga 4 persona, të cilët shkatërruan murin e picerisë dhe më pas u futën në bankën BPM. Mediat italiane e kanë cilësuar grupin e autorëve si “banda e vrimave” të cilët kanë marrë 7 persona peng, më pas arritën të hapin kasafortën nga e cila arritën të merrnin rreth 160 mijë euro.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes pasi autorët kishin arritur të arratisen, rreth orës 10 të mëngjesit të sot.
Dëshmitarët i kanë thënë policisë se njëri nga autorët kishte një theks nga rajoni i Campania, ndërsa tre të tjerët kishin theks sicilian. Ata i thënë personave që ndodheshin në bankë se ishin të armatosur, por asnjëri nuk ka arritur të shohë armë zjarri.