Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Rajon&Bota

Si një mbret viking i dha emrin Bluetooth-it, 1000 vjet më vonë nofka e “Dhëmbit të Kaltër” jeton në miliarda pajisje

22:21 / September 28, 20264 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
bluetooth
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Më shumë se një mijë vjet përpara se Bluetooth të bëhej emri i teknologjisë që lidh pa tel telefonat, kufjet dhe kompjuterët, ai ishte nofka e një mbreti viking.

Harald Gormsson, i njohur si “Dhëmbi i Kaltër”, sundoi Danimarkën në shekullin e 10-të dhe luajti një rol të rëndësishëm në formimin e shtetit danez.

Historia e tij lidhet me Jelling, një qytet i vogël rreth 250 kilometra në perëndim të Kopenhagenit, ku dy gurë të lashtë runikë dokumentojnë historinë e familjes mbretërore dhe ndryshimet politike e fetare që përfshinë Danimarkën.

Harald Gormsson njihej në gjuhën nordike të vjetër si “Blátǫnn”, që do të thotë “Dhëmb i Kaltër”. Nofka u regjistrua për herë të parë rreth 150 vjet pas vdekjes së tij. Një nga shpjegimet është se ajo mund t’i referohej një dhëmbi me ngjyrë blu ose të errët, ndoshta të prishur.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të mbretërimit të Haraldit ishte kristianizimi i danezëve, që vlerësohet të ketë ndodhur rreth vitit 965. Guri më i madh i Jellingut, i ngritur me urdhër të tij, përshkruan se si Harald “pushtoi të gjithë Danimarkën dhe Norvegjinë për vete dhe i bëri danezët të krishterë”. Në të ndodhet gjithashtu një nga përshkrimet më të hershme të Krishtit në Skandinavi.

Në shekullin e 10-të, Evropa veriore ishte e ndarë në territore më të vogla, të drejtuara nga krerë vendas. Për Haraldit, përhapja e krishterimit shërbeu edhe si një mënyrë për të forcuar pushtetin, për ta lidhur Danimarkën me Evropën e krishterë dhe për të bashkuar territoret nën një administratë më të centralizuar.

Guri më i vogël dhe më i vjetër i Jellingut ishte porositur nga babai i Haraldit, Mbreti Gorm, në kujtim të gruas së tij, Tyra. Mbishkrimi besohet se përmban përmendjen e parë me shkrim të fjalës “Danimarkë” brenda vendit. Për këtë arsye, monumenti është quajtur edhe “certifikata e lindjes” së Danimarkës.

Në kohën e Haraldit, Jelling ishte një seli e rëndësishme pushteti, ndërsa zona fillimisht ishte përdorur si një varrezë pagane. Gjatë mbretërimit të tij, traditat e vjetra fetare bashkëjetuan me krishterimin, i cili po përhapej në Skandinavi.

Peizazhi i Jellingut ruan ende gjurmët e kësaj periudhe. Kunja të bardha shënojnë perimetrin e gardhit prej druri që dikur rrethonte monumentet, ndërsa qindra shenja më të vogla formojnë skicën e një strukture të madhe në formë anijeje, që besohet se mund t’i ishte kushtuar Tyrës. Dy tuma varrimi dhe një kishë e krishterë plotësojnë kompleksin.

Në vitin 1994, tumat e varrimit, gurët rune dhe kisha e Jellingut u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke u bërë monumenti i parë danez që mori këtë njohje. Sot, dy gurët mbrohen pas mbulesave prej qelqi.

Por historia e Haraldit nuk përfundon në Jelling. Më shumë se një mijë vjet pas mbretërimit të tij, emri i tij u bë pjesë e historisë së teknologjisë.

Në fund të viteve 1990, inxhinierë nga kompani si Toshiba, IBM, Nokia, Intel dhe Ericsson po punonin për një teknologji të re komunikimi pa tel, që do të mundësonte lidhjen e pajisjeve të prodhuesve të ndryshëm.

Projekti kishte nevojë për një emër të përkohshëm. Inxhinieri i Intel, Jim Kardach, po punonte me kolegë suedezë kur biseda u kthye te vikingët. Duke lexuar për historinë e kësaj periudhe, ai u interesua për Haraldin, i cili kishte bashkuar Danimarkën dhe Norvegjinë.

Ideja ishte se teknologjia e re mund të bënte diçka të ngjashme: të bashkonte pajisje të ndryshme që më parë nuk komunikonin me njëra-tjetrën.

Emri “Bluetooth” fillimisht ishte menduar vetëm si një emër i koduar, por ai u përhap përpara se të përgatitej njoftimi zyrtar për shtyp dhe përfundimisht mbeti i pandryshuar.

Edhe logoja e teknologjisë ruan lidhjen me mbretin viking. Ajo kombinon dy runa që përfaqësojnë inicialet “H” dhe “B”, në nder të Harald Bluetooth, siç përkthehet nofka e tij në anglisht.

Në vitin 2023, me rastin e 25-vjetorit të teknologjisë, Jim Kardach dhe krijues të tjerë të saj vizituan Jellingun. Me humor, ata “kërkuan falje” për përdorimin e emrit të mbretit pa lejen e tij. Muzeu e pranoi “faljen” dhe u dha atyre leje për ta përdorur emrin edhe për një mijë vitet e ardhshme.

Sot, Jellingu ka rreth 4 mijë banorë, por më shumë se një mijë vjet më parë ishte një qendër e rëndësishme pushteti. Nga gurët runikë të një mbreti viking te miliarda telefonat, kufjet dhe kompjuterët modernë, emri i Harald Gormsson ka kaluar nga historia e Danimarkës në botën e teknologjisë.

Bluetooth mbret nofka PAJISJE viking
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Rihapet hetimi për akuzën e përdhunimit në grup në Universitetin Cornell, studentja pretendon se ishte droguar

22:57 / September 28, 2026

Trump: Ne do ta fitojmë luftën kundër Iranit shumë shpejt, në një mënyrë apo tjetër!

21:58 / September 28, 2026

Senati italian miratoi ligjin për futjen e energjisë bërthamore në sistemin energjetik

21:42 / September 28, 2026

Pas bisedës Vuçiç-Putin, Departamenti i Shtetit rikujton deklaratën e Rubios: Serbia, e përfshirë në çështje problematike

20:40 / September 28, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.