Të gjendur mes dhjetëra alternativash dhe markash në markete, shqiptarët që duan një vaj cilësor, ose zgjedhin më të shtrenjtin ose më së shumti e blejnë direkt nga prodhuesi i besuar.
Po ç’thonë vetë prodhuesit? Për AgroWeb.org pyetëm Kryetaren e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari dhe një prej prodhuesve të mirënjohur të vajit në Elbasan, zotin Fatmir Skilja.
‘Vaji i ullirit është produkt i domosdoshëm për çdo familje. Përzgjedhja e tij është shumë e rëndësishme për shëndetin e familjes’, thotë për AgroWeb.org, Kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA, Silvana Pinari.
Jemi me fat që në vendin tonë kemi ullinj shumë të mirë dhe prodhues cilësorë të vajit të ullirit, vijon zonja Pinari duke sugjeruar, që nëse munden, konsumatorët mund t’i drejtohen fabrikës më të afërt bashkë më fëmijët, për të blerë Vaj Ekstra të Virgjër Ulliri.
Në fakt, i të njëjtit mendim është edhe zoti Skilja. ‘Për mua është viti i katërt i prodhimit dhe pothuajse të gjithë vajin e shes me paketim 5 litërsh te konsumatorët që më njohin, dhe jo në treg” thotë ai për AgroWeb.org.
