Loshi i Karbunarës djali i tezes së Lulzim Cakës, ishte njeriu që mbështeti ngjitjen e Cakës në krim. Dy kushërinjtë ishin të pandalshëm derisa, Caka vrau njeriun e gabuar, një krim i ndodhur për radhën e larjes së makinave.
Përpara se t’i rrëmbente të ëmën dhe t’ia eliminonte duke e qëlluar dhe hedhur në një kanal, Mile Cami (Fatmir Emini), kishte nisur më herët vrasjet e njerëzve më të shtrenjtë të Lulzim Cakës. E gjitha po ndodhte pasi “i tmerrshmi i Beratit” kishte vrarë vëllanë e Mile Camit, Pëllumb Petritin. Ndaj pesë muaj pas këtij krimi, Mile Cami organizoi atentatin hakmarrës për të ngushtuar influencën e Lulzim Cakës.
Në dosjen që Gazeta Si.al disponon tregohet se si pas vrasjes së Pëllumb Eminit (korrik 1997), në dhjetor i vëllai i viktimës realizon goditjen për të shkatërruar një nga njerëzit më influentë të krimit në zonën e Beratit dhe Elbasanit. Ai ishte Loshi i Karbunarës, kreu i një bande famëkeqe. Viktima njihej me këtë emër megjithëse emri i tij zyrtar është Bujar Sula. Por, përveçse një i fortë i atyre viteve të vështira, Loshi i Karbunarës ishte gjithashtu djali i tezes së Lulzim Cakës, ishte njeriu që mbështeti ngjitjen e Cakës në krim dhe që formoi një aleancë të errët mes krimit të Beratit që e përfaqësonte Lulzim Caka dhe Loshi i Karbunarës. Dy kushërinjtë e parë ishin të pandalshëm derisa Lul Caka vrau njeriun e gabuar, një krim i ndodhur për radhën e larjes së makinave.
Si u vra Loshi i Karbunarës, një nga goditjet që transformuan tërësisht Lulzim Cakën dhe e kthyen në një nga njerëzit më të frikshëm gjatë atyre viteve?
Në vendimin e gjykatës, vërehet se nga aktet rezulton që Loshi i Karbunarës dhe Eduart Dyrmishi po lëviznin me mjetin e tyre ‘Opel’ në bulevardin kryesor të Lushnjës. Ora 11:30, i datës 13 dhjetor 1997, ose pesë muaj pasi kushëriri i tij i parë Lulzim Caka kishte shkrepur armën dhe kishte vrarë fierakun e një njeriu tjetër të paprekshëm në jug të vendit. Loshi i Karbunarës, i cili u kishte shtirë frikën qytetarëve po udhëtonte qetësisht në bulevardin e qytetit që pothuajse e zotëronte për shkak të emrit që kishte vendosur. Një makinë tjetër është afruar paralelisht, mjeti ishte me targa false LU5805D dhe drejtohej nga Fatmir Emini. Ai ishte maskuar me një paruke me flokë të gjatë me ngjyrë të hapur. Bashkë me të gjendej edhe një person i dytë. Të dy kanë hapur zjarr njëkohësisht në drejtim të ‘Opelit’ ku gjendej Loshi i Karbunarës dhe Dyrmishi, mandej janë kthyer dhe kanë qëlluar sërish me qitje të fokusuar te Loshi i Karbunarës. Në përfundim të breshërisë, rezultati i viktimave ishte katër të vdekur. Dy të vrarë që ishin shënjestra e atentatit Loshi i Karbunarës dhe pasagjeri tjetër. Si edhe dy kalimtarë të rastit, Plarent Kurti dhe Medi Mallia.
Gabimet që zbuluan vrasësit e maskuar
Në dosje, jepet e detajuar dinamika e mëtejshme sesi vrasësit u larguan nga Lushnja drejt bazës së tyre, Fierit. Pasi kishin lënë katër të vrarë mes tyre edhe Loshin e Karbunarës. Fatmir Emini vërtet i kishte vendosur makinës targat e Lushnjës dhe ishte maskuar me paruke me gjithë bashkëpunëtorët, por në kthim më tepër për shkak të defekteve në makinën tip ‘benz’ nga nxitimi për t’u arratisur ai ka harruar në makinë dokumentet origjinale të pronësisë. Mjeti i krimit u braktis në afërsi të karburantit FISHEKU që ndodhet në hyrje të qytetit të Fierit. Nga procesverbalet e sekuestrimit dhe që disponon gazetasi.al u zbulua se goma e prapme e mjetit në krahun e djathtë ishte çarë dhe ndaj automjeti i krimit u gjet i rimorkuar nga një makinë tjetër tip ‘fuoristradë’. Në kroskot shtohet më tej u gjetën dokumentet origjinale nën emrin e Fatmir Eminit si edhe targat origjinale të ‘benzit’ Fr0211B, por edhe automatikë, granata me ndezësin të montuar, bastun inox (Mile Cami calonte).
Dëshmitë
Por, përveç provave të shumta dëshmitari okular Besnik S. pohon se e ka parë masakrën e asaj dite dhe se në timon gjendej Fatmir Emini me paruke në ngjyrë gështenjë e hapur. Dëshmitari rrëfen përshkrimin e një tjetër qytetari me emrin Pasho H. që i kishte treguar se i dyti në ‘benz’ ishte Artur Daja, i vrarë (edhe ky një nga të fortët e Lushnjës dhe kundërshtar i Aldo Bares). Gjatë hetimit paraprak, dëshmitari Pasho H. kishte thënë se njëri nga personat që kishte qëlluar ishte edhe Artur Daja.
Por për të kuptuar se sa e vështirë ishte të dëshmoje të vërtetën në gjykatë dhe se ku ishte shteti, mjafton të lexosh dëshminë e vëllait të Abedin Sulës, që është vëllai i Loshit të Karbunarës. Në gjykatë ai deklaroi “nuk e njoh të pandehurin Fatmir Emini si vrasësin e vëllait tim, nuk e di kush ma ka vrarë vëllanë, ndonëse më herët në hetimet paraprake ai kishte rrëfyer se kishte qenë i pranishëm dhe kishte parë se të vëllain ia kishte vrarë Fatmir Emini i njohur me nofkën tjetër Topalli i Fierit, ndërsa i dyti që qëllonte ishte Artur Daja (një vit më vonë ai u masakrua dhe koka e tij u shëtit në qytet nga banda e Aldo Bares). Por, duke pasur parasysh që Fatmir Emini ishte potent dhe me fuqi, nuk është habi që dëshmitari të jetë kërcënuar ashtu siç edhe ndodhi më vonë edhe me dhëndrin e Lulzim Cakës, i cili firmosi edhe një deklaratë noteriale, duke përjashtuar si autorë të rrëmbimit të Xhevrije Cakës shtetasit Bledar e Artan Yzeiri si edhe Fatmir Eminin. Siç u mësua nga dëshmitë dhëndri kishte pasur një motiv të fortë që është frika, pasi vrasësit i kishin dërguar mesazhe përmes bashkëfshatarëve me apelin “Mos i përmend emrat tanë si autorë të vrasjes së nënës së Lulzim Cakës se ndryshe do t’ia bëjmë më keq sesa ia bëmë vjehrrës së tij”.
“I tmerrshmi” i Beratit
Më 18 mars 1999, Policia e Beratit së bashku me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë organizuan postblloqe në të gjithë qytetin për të arrestuar personat për të cilët kishte informacione që lëviznin të armatosur. Njëri nga këto postblloqe u ngrit në afërsi të një pike karburanti që ishte në pronësi të shtetasit Nadir Shehu, që gjendej në fshatin Pobrat. Në mesditë drejt postbllokut po udhëtonte një motor, të panjohur nga distanca, por që më pas forcat e vendosura aty u njoftuan në radio se dy të panjohurit ishin Lulzim Caka dhe shoku i tij, Xhevahir Çela. Menjëherë policia ka bërë shenjë që ata të ndalojnë, por ata menjëherë kanë reaguar. Policia është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe aty ka mbetur i vrarë Xhevahir Çela. Personi tjetër, pasi motori është rrëzuar, është hedhur në kanal dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të policisë derisa e kanë lënë forcat, pasi ka mbetur i plagosur. Ai e ka hedhur automatikun në tokë dhe aty është kapur nga policia.
Çfarë rrëfyen policët që ishin në postbllok?
Rrëfimi i komisarit Ilir Ngresi, në atë kohë shef i Komisariatit Berat dhe sot dëshmor i policisë është më prekëse. Pasi tregon se ishin vendosur në postblloqe për të kapur njerëzit e armatosur, komisari tregon se po ushtronin operacion për kapjen e të kërkuarve dhe atyre që qarkullonin me armë “ai filloi të shajë dhe të qëllojë në drejtimin tim dhe mua më ka shpëtuar vetëm rastësia”. Njëri nga shokët thirri “të vrau shef, mos u ngri”, deklaroi menjëherë pas ngjarjes komisari, që përshkruante se atë dhe të pandehurin i ndante vetëm rruga automobilistike. Kjo më bëri që unë mos ta harroj atë fytyrë, edhe pse më herët e kisha parë, pasi isha shef komisariati. Gentian Musabelliu, inspektor dhe në detyrë në atë posbllok thotë në dokumente “për t’u shpëtuar goditjeve u pozicionuam”. Duke u afruar zëri që ishte hedhur në kanal thirri “mos u afroni, do t’ju vras” dhe vazhdonte qëllonte në drejtimin tonë duke u përgjigjur vetëm me të shtëna. Në kohën kur zjarri pushoi unë lëviza bashkë me Ilir Ngresin dhe kur iu afruam i vendosëm armën te koka, ai ngriti duart lart dhe tha “jam Lul Caka”. Oficeri tjetër i policisë Julian Kuci kujton se përpara se njerëzit që ishin në motor të qëllonin në drejtim të policisë kishte bërtitur “mos u afroni o maskarenj”.
Akuza e vrasjes së Pëllumb Eminit
Në datën 21 korrik 1997, Lulzim Caka gjendej në lavazhin “Sadiku”, në afërsi të Lushnjës. Aty ka shkuar të lajë makinën viktima Pëllumb Emini, ku edhe ka nisur sherri se kush do ta lante i pari makinën. Në grindje e sipër viktima e qëllon me pëllëmbë Lul Cakën dhe ai kthehet i qetë në makinën e tij, ku ka marrë armën. Të dy djemtë edhe Pëllumbi, i cili ndërkohë ka nxjerrë pistoletën dhe Lul Caka kanë filluar të qëllojnë mbi njëri-tjetrin. I vetmi që është lënduar nga ky sherr është një kalimtar i rastit që është plagosur. Por nuk është mbyllur me kaq. Pëllumb Emini arrin të largohet në këmbë duke e lënë makinën në lavazh dhe pak minuta më vonë kthehet me një makinë tjetër dhe nën shoqërinë e një shoku. Por pa zbritur ende mirë nga makina e dytë ku siç duket deshi të vinte pikat mbi “i”, Lulzim Caka e pret me një breshëri të dytë, duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë krim në dosje ekziston edhe dëshmia e një dëshmitari okular, i larguar nga Shqipëria që tregon për policinë “fierakun e vrau një djalë me flokët e gjatë që quhej Luli nga Berati”. Një tjetër dëshmitar rrëfen madje se atij i kishin kërkuar të shikonte nëse ai që kishte qëlluar a kishte vdekur apo jo. “Shkova e pashë që kishte mbaruar dhe ia thashë, pastaj ai iku”, thotë dëshmitari.
Lavazhieri
Një tjetër dëshmitar, tregon se sa lehtë vriteshe në ato vite, qoftë edhe për larjen e makinës. Ai është A. Kiptiu që ditën e “far ëest” ishte punëtor i lavazhit. “Isha punëtor atë ditë, nga ora 9:00 apo 10:00 erdhi i pandehuri me një ‘benz’ të bardhë dhe viktima me një ‘benz’ të zi. Filluan të grindeshin me njëri-tjetrin se kujt do ia laja i pari makinën. Viktima e kapi për fyti dhe i grisi këmishën. Aty hyri një A. S, i cili deshi t’i ndajë. U shtuan edhe dy të tjerë që i thoshin Lulit nga Berati të mos qëllonte. U fsheha në një ndërtesë që po ndërtohej afër lavazhit, sepse ai bërtiti largohuni se do ta vras. Ika në shtëpi, të nesërmen erdhi një shoku im dhe më tha Luli nga Berati e vrau fierakun.