Gazetari dhe ish-punonjësi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Granit Sokoli, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ngriti shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke e krahasuar vendin tonë me standardet e Bashkimit Europian dhe vendet e rajonit.
Ai theksoi se, pavarësisht disa përmirësimeve, problematikat mbeten të pranishme, veçanërisht në baxhot dhe punishtet e vogla, si edhe në tregjet informale ku mungon gjurmueshmëria e produkteve.
Sipas Sokolit, Shqipëria renditet pas vendeve si Mali i Zi dhe Serbia në aspektin e sigurisë ushqimore, ndërsa çmimet e larta dhe mungesa e reformave radikale mbeten pengesa serioze në rrugën drejt standardeve europiane.
Aldo: Për cilat produkte kanë më shumë ankesa konsumatorët?
Granit Sokoli: Unë i filtroj. I vërtetoj me analiza laboratorike. Sa i takon sigurisë ushqimore nuk është se nuk ka një përmirësim, por kemi dhe do të kemi historikisht probleme. Baxhot dhe punishtet e vogla nuk kanë ende kushtet e nevojshme për sigurinë ushqimore. Ke markete dhe biznese të vogla ku ti nuk merr kurrë një kupon dhe nuk gjen asnjëherë origjinën e produktit, nëse të shfaq probleme më vonë.
Aldo: Nga të gjitha analizat që ke bëtë ti, çfarë rezultatesh kanë dalë?
Granit Sokoli: Shumica e analizave që unë kam bërë janë pozitive, por sikundërse ka pasur raste që vërtet kam analizuar produkte nga industria e përpunimit të qumështit apo edhe mishit dhe kanë rezultuar komfor. Sa u takon çmimeve edhe në mes të Gjermanisë i ke çmimet më lirë se në vendin tonë. Çmimi i karburantit tonë është sa në Zvicër. Patjetër që vendet e rajonit kanë çmime më të lira. Në raport me sigurinë, unë gjykoj që Mali i Zi është shumë më mirë se ne në sigurinë ushqimore, Serbia është shumë më mirë se ne. Siguria ushqimore nuk mund të bëhet pa forma radikale, siguria ushqimore nuk mund të bëhet vetëm me qoka politike. Kemi audite të rregullta nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore, për mbrojtjen e kafshëve dhe të bimëve. Unë e kam thënë gjithmonë që kapitulli i 12-të që është siguria ushqimore dhe veterinaria, bashkë me kapitullin 27-të që është mjedisi do të jenë të fundit që do të mbyllen.
