Ditën e sotme në Shqipëri filloi vaksinimi kundër koronavirusit, ku e para që e mori vaksinën ishte shefja e Infektivit Najada Çomo.
Pas saj u vaksinuan kryeministri Rama dhe mjekët Pëllumb Pipero e Tritan Kalo, ndërkohë që shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, ka sqaruar se si do të kryhet vaksinimi.
Në një replikë me komentuesit, Bino sqaron se në fillim do të vaksinohen bluzat e bardha dhe mjekët e familjes, ku janë përgatitur listat sipas grupmoshave. Më pas do të vaksinohen shtëpitë e të moshuarve dhe stafi që kujdeset për ta.
“Sipas grupmoshave janë përgatitur listat me mjekët e familjes. Vendet e vaksinimit do të jenë të përcaktuara. Hapi i parë është personeli së bashku me shtëpitë e të moshuarve, atje ku jetojnë. Gjërat janë të përcaktuara. Nuk është fushata e parë e vaksinimit, por interesi i secilit prej jush, e publikut e politikës është më i madh tani për COVID-19”, shkruan Bino.
