Eventi “Match-Maker Albania 2025” mblodhi bashkë në Tiranë 1000 përfaqësues nga 36 shtete. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se kjo ngjarje është pasqyrim i qartë i interesit dhe besimit në rritje në Shqipëri, si një destinacion për investime dhe inovacion.
”Mbi 500 investitorë të huaj, 200 kompani shqiptare dhe më shumë se 30 eksportues elitarë janë sot këtu, teksa ne prezantojmë më shumë se 30 projekte të gatshme për investime publike dhe private, që përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh”.
Gonxhja vuri në dukje se, investimet e huaja direkte në vitin 2024 arritën në 1.6 miliardë euro, nivelin më të lartë historik. “Kjo nuk është rastësi. Është rezultat i punës së palodhur, reformave dhe vizionit. Vendet si Turqia, Italia, Holanda, Austria dhe Kosova kanë udhëhequr rrugën në investimet në Shqipëri, duke forcuar lidhjet dhe hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”, tha ai.
Gonxhja u shpreh krenarë për nënshkrimin e pesë memorandumeve të reja të mirëkuptimit me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Britaninë e Madhe dhe Kazakistanin.
“Këto marrëveshje janë më shumë se gjeste diplomatike. Janë angazhime për të bashkëpunuar, për të shkëmbyer njohuri dhe për të investuar në rritjen e njëri-tjetrit, në turizëm, pasuri të paluajtshme, teknologji, inovacion, agrobiznes, prodhimi, energjia, financat, kujdesi shëndetësor etj”,-u shpreh ministri. Gonxhja shprehu besimin, se ky transformim i vendit do të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.