Kryeministri Edi Rama ka folur përsëri për situatën e çmimeve të cilat janë rritur si pasojë e luftës në Ukrainë. Nga foltorja e Kuvendit, Rama theksoi se kjo luftë ka prekur edhe Australinë e largët, ndërsa ka bërë një koment edhe për deklaratat e atyre personave që mendojnë se lufta nuk ka ndikuar tek çmimet, duke thënë se kjo është diçka e pandershme.
“Prekemi nga një luftë që ka nisur mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe çdo dalje në ekrane nuk i bën nder askujt. Cdo përpjekje për të vazhduar luftën e vogël të katundit këtu dhe për të shpjeguar pasojat e luftë në çmime sikur nuk kanë lidhje me luftën është e pandershme. Edhe Australia është në të njëjtën situatë. Dhe këtu i kthehem atij momenti që lajmërova fazën kritike të energjisë. Si rezultat i një krize më të madhe se ne. I thatë të gjitha, por nuk thatë se kjo ishte e vërtetë.” tha kryeministri.
Gjithashtu, Rama bëri me dije se Gjermania ka planifikuar të reduktojë furnizimin me gaz për familjet dhe bzineset për shkak të krizës.
“Tani nuk flitet më për çmime. Ministri i ekonomisë Gjermane tha se do paraqis planin e kufizimit të furnizimit me gaz. Gjermani po përgatit planin për të filluar ndërprerjen e furnizimit me gaz edhe për familjet. Jemi në kushtet kur kriza ka prekur dhe po krijon rrugë të paimagjinueshme brenda shtetit më të fuqishëm të Europës. Ne në momentin kur e lajmëruam atë që po vinte dhe thamë që do marrim masa dhe nuk do rrisim çmimin as nuk e imagjinuam se çështja do komplikohej. Por sot është në një kulm që bota e konsideron të ngjashëm me krizën 1974”, tha Rama.
Pavarësisht faktit se qeveria po paguan faturat e energjisë me çmim të dyfishuar dhe ditët në vazhdim pritet të shkojë edhe katërfish, kreu i qeverisë tha se sërish për familjarët nuk do të ketë rritje.
“Edhe sot kemi vendosur që nuk do e rrisim çmimin. Por po bëjmë një studim për familjet e pasura. Jo si në 2013, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme. Ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë. Asnjë familje nuk do ketë rritje të energjisë se ne do paguajmë diferencën. Është nga dyfish dhe mund të shkoj 3-4 fish”, deklaroi Rama.
