Ditët e zeza nuk po mbarojnë për skuadrën e Skënderbeut. Ditën e djeshme, korçarët u mundën thellë në kampionat nga Tirana kryesuese në Korçë, me rezultatin 0-4.
Mesa duket, ekipi i drejtuar nga Skënder Gega ka marrë rrugën për në Kategorinë e Parë edhe pse matematikisht ata qëndrojnë ende në garë.
Korçarët kanë grumbulluar vetëm 20 pikë në këto 28 javë të luajtura, çka tregojnë se tek Skënderbeu po e ndjejnë seriozisht makthin e Kategorisë së Parë, e cila para pak vitesh as që mendohej. Dikur Sënderbeu bënte krenarë gjithë shqiptarët dhe madje cilësohej si “kombëtarja” e dytë e vendit tonë në europë, tashmë po lufton për mbijetesën në elitë.
Pas përfundimit të ndeshjes së djeshme ku pësuan 4 gola nga bardheblutë, tifozët korçarë kanë reaguar të irrituar duke bërë përgjegjës presidentin. Sipas tyre, e gjitha lidhet me dënimin nga UEFA për trukim ndeshjesh, ndërsa ata tregojnë historinë e ngritjes dhe dështimit.
“Fajin e gjithë kësaj situate, ta gjejmë tek vetja. Fajtori kryesor për të gjitha këto është një. Është presidenti. Skënderbeu u udhëhoq nga njerëz që i verboi paraja, pisllëqet e trukimet. Në qoftë se ka një fajtor që ndodhemi këtu, janë pikërisht këto pisllëqe që janë bërë në kurriz të qytetit e sportdashësve Korçar. Ju kujtohen miqësoret e fazave përgatitore që vetëm përgatitore nuk ishin. Ju kujtohet ndeshja e famshme Crusaders-Skënderbeu?
Skënderbeu e mbylli kualifikimin që ndeshjen e parë dhe kundërshtari ishte i nivelit të superligës sot, shkon e luan në Irlandë vetëm për lloto, kur ti ke fitimet e UEFA-s për turin e kaluar? Atëherë çfarë faji na kanë të tjerët? Vet i bëri presidenca këto. Po sa e sa ndeshje në superligë të toleruara, prishje gare e hapur.. një turp gjithë këto vite që do i ndjekë gjithmonë ish-ët e Skënderbeut që u larguan nga Korça jo vetëm me miliona, por e me dekorata.
Ku janë ata sot? Pse nuk dhanë kurrë llogari bashkë me presidentin për dënimin e UEFA-S? A mos vallë ishin tifozët e Skënderbeut në fushë? Atë ç’ka bëtë në kurriz të qytetit e pasionit bardhekuq, nuk do e harrojmë kurrë. Skënderbeu do vazhdojë të ekzistojë, sepse ky nuk është fundi, por hakat e korçarëve ju zënshin të gjithë ju që luajtët pisët ndaj një qyteti të tërë”, thonë tifozët në postimin e tyre.
