Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata më problematike paraqitet në Krujë, veçanërisht në lagjen “Abaze”. Era e fortë dhe terreni malor po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen e forcave në terren më të vështirë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një intervistë televizive, tha se situata në Krujë është përkeqësuar pasditen e sotme, pas orës 14:00. Sipas tij, në zonë janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë të FA-së.
Nufi theksoi se kushtet atmosferike po favorizojnë përhapjen e flakëve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e evakuimit të banorëve nëse situata do të përkeqësohet. Sipas ministrit, terreni i vështirë malor dhe shpejtësia e përhapjes së zjarrit përbëjnë një sfidë për forcat që po luftojnë me flakët.
“Ka qenë e qetë situata deri nga dreka, pas orës 14, në lagjen “Abaze” ka pasur një agravim të situatës edhe pas erës. Kemi prezentë në terren efektivë të Forcave të Armatosur, zjarrfikës nga bashkitë dhe helikopterë nga Forcat e Armatosura që po operojnë për shuarjen e zjarrit në Krujë.
Era favorizon flakët në Krujë. Pas vlerësimit të situatës, nëse është e nevojshme do bëhet dhe evakuimi i banorëve, me qëllim që të mos kemi dëme në jetë njerëzish apo dëmtime banesash. Forcat tona janë në territor, tereni është malor dhe përhapja e zjarrit është shumë e lartë. “, tha ai.
Kruja nuk është e vetmja zonë ku situata paraqitet problematike. Ministri i Mbrojtjes u shpreh se forca të shumta janë angazhuar edhe në Grykë-Lurë, ku zjarret kanë prekur një zonë brenda Parkut Kombëtar. Ministri deklaroi se kapacitetet e angazhuara për përballimin e situatës janë të konsiderueshme. Sipas tij, aktualisht në terren ndodhen 650 forca dhe 75 mjete, ndërsa një pjesë e rëndësishme e operacionit po zhvillohet nga ajri.
“Kemi një situatë të vështirë në Grykë Lurë, që është dhe Park Kombëtar. Edhe atje kemi forca. Kemi situatë të vështirë në Fier, në Mirditë me dy vatra zjarri. Ky vit na gjen më të përgatitur se kurrë në menaxhimin e emergjencave civile, 5 helikopterë të FA në gjendje aktive, dy avionë Air Tractor. Janë 650 forca të angazhuara në terren dhe janë duke u përballur me zjarret, janë 75 mjete, 30 janë nga FA. Situata e Krujës ka qenë një prej situatave më të rrezikshme që kemi patur në 4 vitet e fundit.
Situata monitorohet 24 orë në shtatë ditë. Çdo ditë ka një vlerësim risku. Në fund të javës mund të kemi ulje të temperaturave, mund të kemi dhe shira në zonat lokale, që mund të ndihmojnë në shuarjen e vatrave. Sa i përket dëmeve, vlerësimi do të bëhet në një moment të dytë. Në përfundim të situatës së zjarreve . Fatmirësisht deri sot nuk kemi asnjë jetë të humbur“, tha ai.
Në kushtet e temperaturave të larta dhe erërave, edhe një vatër e vogël mund të shndërrohet shumë shpejt në një situatë të pakontrollueshme. Për këtë arsye, Nufi u bëri apel qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Ai tha se ka dyshime se shumica e vatrave të zjarrit janë shkaktuar nga dora e njeriut.
“Pjesa më e madhe e zjarreve që janë përhapur dhe janë shumëfishuar, kanë pikënisje situata njerëzore. Dyshimet kryesore janë se janë shkaktuar nga dora e njeriut. Bëj thirrje qytetarëve që evitojmë në maksimum ndezjen e zjarreve, një zjarr i vogël, sidomos në kushte ku kemi, me këto temperatura të larta shumëfishojnë zjarret dhe i kthejnë ato në një krizë kombëtare“, theksoi ai.
