Deputeti i PD-së Gzmend Bardhi në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ ka deklaruar se cilat janë arsyet që e ndajnë atë nga Sali Berisha. Ai ka renditur disa prej tyre, nga non grata deri te fakti se nuk e sheh figurën e Berishës si mundësinë që Partia Demokratike të vijë në pushtet.
“Non grata është një nga çështjet që mua më ndan nga Berisha. Berisha është shpallur non grata nga departamenti amerikan i shtetit dhe nëse ka një gjë që na e provoi drejtësia amerikane është se sa do të lobosh dhe sado para të paguash sistemi amerikan funksionon. Unë i kam besuar drejtësisë amerikane, unë s’mund të kem një standard të dyfishtë. Sa kohë i besoj për një rast drejtësisë amerikane i besoj dhe për një tjetër. Berisha është në të drejtën e tij për të bërë betejën e tij. Gjëja që mua më ndan nga Berisha është se s’ka pse PD të përfshihet në gjërat e tij personale. E dyta që më ndan mua me Berishën është se betejën për rifreskimin e parisë nuk e nisi para 9 shtatorit, një njeri që ka përgjegjësi e nis këtë betejë para se ti vijë një betejë te dera. E nisi në momentin kur Basha mori një vendim që e prekte Berishën personalisht. Së treti mendoj se Berisha nuk e sjell dot PD në pushtet.” tha Bardhi.