Ditën e nesërme rikthehet tryeza ‘Zgjedhore’. Pas pezullimit të punës për disa ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, përfaqësuesit e partive politike në vend do t’i rikthehen punës. Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore pritet që nesër të shënojë mbledhjen e parë, ku pritet të miratohen disa çështje.
Deri më tani palët kanë rënë dakord që zgjedhjet mos të mbahen më në muajin qershor. Socialistët kanë sugjeruar që votimi të bëhet më 14 prill deri në 15 maj, ose 1-13 tetor. Edhe të tjerët kanë rënë dakord me periudhën prill-maj, por kanë shtuar si opsion edhe periudhën nga 14 shtatori deri në 31 tetor.
“Molla e sherrit” në Komision mbetet depolitizimi i administratës zgjedhore, pasi socialistët e duan të plotë, ndërsa opozita kërkon një sistem miks. Një pikë tjetër e nxehtë është edhe ajo e reklamave në media. Nga ana tjetër, financimi i fushatës zgjedhore është thuajse i dakordësuar mes ekspertëve teknikë.
Ky është afati i tretë brenda të cilit duhet të gjendet patjetër një konsensus për të mbyllur Reformën Zgjedhore. Afati i parë ishte më 15 mars, por koronavirusi ndërpreu punimet për më shumë se 2 muaj. Afati i dytë ishte fundi i majit, por prishja e Teatrit dhe një bojkot i opozitës shty sërish dorëzimin e punës. Ndërkohë, afati i tretë është caktuar në fund të qershorit.
Deri më tani palët janë në një mendje, për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor pasi sipas tyre kërkon kohë dhe e vetmja që ka dalë kundër është Hajdari. Përveç dakordësive, palët kanë shfaqur ndasi përsa i përket administratës zgjedhore, kolegjit zgjedhor dhe votimit elektronik dhe qeverisë kujdestare.
Afati për mbylljen e reformës zgjedhore është 30 qershori, por palët janë zotuar se do ta përfundojnë brenda këtij muaji.
