Sanja Musiç Milanoviç, gruaja e Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviç, dyshohet se i ka bërë presion drejtoreshës së shkollës së mesme të Zagrebit, Zdravka Martiniç-Jerçiç, në mënyrë që djalit të saj t’i ndryshonin notat, dy javë pasi shkolla kishte mbaruar.
Burime për median kroate Jutarnji raportojnë se ndryshimi i notave mund të konstatohet edhe në sistemin on-line, i cili është i aksesueshëm nga të gjithë mësuesit të cilët i kanë dhënë mësim djalit të presidentit.
Ndërkohë në një reagim mbi ngjarjen, Sindikatat e arsimit kanë deklaruar se “rishikimi” i notave pasi të ketë kaluar afati ligjor prej 48 orësh nga shpallja e notës, është e paligjshme.
Nga Ministria e Shkencës dhe Arsimit kanë konfirmuar se kanë kërkuar sqarime nga shkolla.
Musiç Milanoviç, në një letër drejtuar kryesisë së shkollës, të cilën Zyra e Presidentit ia ka përcjellë Jutarnji, thekson se, sipas saj, ka shumë parregullsi në lidhje me punën e mësueses së matematikës.
“Dua të jem i qartë se asnjëherë me gojë dhe as tani me shkrim nuk kam kërkuar që nota të rrumbullakoset në notën maksimale, thjesht po kërkoj shpjegim për të gjitha parregullsitë e vërejtura që po bëjnë që studentët të dështojnë për sa i përket njohurive”, thotë në letër Zonja e Parë.
