Pas skandaleve me publikimet e të dhënave si pagat, numrat telefonikë, targat, apo edhe për parti votojmë ka bërë që qeveria të propozojë disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, për të forcuar më shumë mekanizmat mbrojtjës por edhe për të dënuar shkelësit.
Ndaj dhe personat që thyejnë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale do të përballen me gjoba më të larta se më parë. Këtë parashikojnë ndryshimet në projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ku mendohet të vendoset një sistem i ri masash administrative. Masa e gjobës do të jetë e njëjtë si ajo që zbatohet nga vendet e Bashkimit Europian.
Në ndryshim nga ligji aktual i cili nuk përmban parashikime të posaçme, me këtë projektligj parashikohen për herë të parë rregulla mbi përpunimin e të dhënave personale nga autoritetet kompetente për sigurinë publike ose kombëtare dhe për parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale. Ky projektligj parashikon rishikim të mandatit dhe kompetencave të Komisionerit në interes të pavarësisë së tij dhe ushtrimit të funksionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit duke parashikuar për herë të parë, kompetenca ndihmëse, hetimore dhe korrigjuese.
Ligji parashikon edhe gjoba shumë më të mëdha për shkelësit. Një gjobë që shkon deri në 2 miliardë lekësh, ose deri në 4% të xhiros totale vjetore të përgjithshme për vitin financiar paraardhës në rastin e ndërmarrjeve, është për të gjitha ata që nuk respektojnë vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave apo refuzojnë bashkëpunimin me të.
Në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale, krahas detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni aktual parashikohen edhe detyrime të reja për kontrolluesit dhe përpunuesit si “kryerja e vlerësimit të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale përpara fillimit të një procesi përpunimi, detyrimi për tu konsultuar paraprakisht me Komisionerin përpara fillimit të përpunimit të dhënave, në rast se ky përpunim rezulton me rrezik të lartë për subjektin e të dhënave, detyrimi për emërimin e një nëpunësi të mbrojtjes së të dhënave, si dhe prezantimi për herë të parë i kodeve të sjelljes dhe mekanizmave të certifikimit”.