Kryeministri Edi Rama ka komentuar skandalin e kandidatit të çiftit Berisha-Meta i cili pranoi dy ditë më parë se nuk ka marrë diplomë për përfundimin e shkollës së mesme. Rama u shpreh se është humbje kohe për votuesit të merren me individë të tillë që më shumë se mungesa e dëftesave apo shfaqja e turpshme me gishtin e mesit, ky individ ka një problem akoma më të madh për shkak se është vendosur si kukull dhe maskë për zorrën qorre.
Më tej ai theksoi se është e patolerueshme t’i japësh fytyrën tënde surretërve të së shkuarës që janë në sheshin e betejës për të marrë peng të ardhmen e vendit për inatet e tyre personale.
“Nuk kam asnjë koment sepse është humbje kohe edhe është vërtetë një lloj ofendimi për votuesit që të merren në konsideratë individë që përtej të gjithave, përtej dëftesave të shkollës që i mungojnë, përtej gishtave të mesit që i ngatërrojnë nuk e di se me cilin mision. Nuk më bëjnë shumë përshtypje sepse këta njerëz kanë një problem shumë më të madh. Janë vënë në dispozicion si parfum, si kukulla, si maska për zorrën qorre. Jo për një zorrë qorre që përfaqëson thjesht një alternativë të kalbur por është një apendicit në trupin e Shqipërisë. Kjo është gjëja më e rëndë,. Mund të mos kesh dëftesë, punë e madhe shumë. Mund ta kesh ngresh edhe gishtin e mesit në një moment. Këto janë gjëra që kalojnë. Por tí japësh fytyrën surretërve të së shkuarës që janë në sheshin e betejës për të marrë peng të ardhmen e vendit për inatet e tyre personale, jo është e patolerueshme”, deklaroi kryeministri.
Në një shkresë e cila mban datën 16 janar 2023, Instituti “Harry Fultz” konfirmoi se Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes, duke vërtetuar faktin se ai nuk e ka përfunduar shkollën e mesme (nivelin 4 të kualifikimit) dhe nuk është diplomuar për programin e studimit përkatës. Pra, nuk disponon një diplomë që vërteton përfundimin e shkollës së mesme. Edhe drejtoresha e kësaj shkolle e konfirmoi publikisht se ai nuk ka shkollë.
