Nga vendimet e gjykatave varet fati i jetëve të shumë njerëzve, të cilët i drejtohen këtij institucioni për të zgjidhur një problem të caktuar. Megjithatë në shumë procese kërkohet nevoja e thirrjes së eksperteve, siç janë edhe psikologët. Sipas një denoncimi të ardhur në redaksinë e tirananews.al, në gjykata ka edhe raste ku në procese marrin pjesë psikologë të palicensuar ose që nuk i plotësojnë kriteret për t’u thirrur si ekspertë, psikolog në gjykatë. Ne u interesuam pranë Urdhrit të Psikologut institucionit që ka përgjegjësinë për licencimin e tyre. Dhe juristi i Urdhrit të Psikologut, Igli Çutra pohoi se janë në dijeni të kësaj situate, e cila është problematike. Megjithatë shpresa e zgjidhjes sipas tij mbetet regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjithë ekspertet e licensuar.
Sa psikologë janë të atashuar pranë Urdhrit të Psikologut, sa prej tyre kanë licensën për të punuar në si ekspertë në gjykatë?
Pati një reformim pas ndryshimit të ligjit të Kodit të Procedurës Civile, lidhur me pjesën e ekspertëve të thirrur në gjykata. Kërkohet licenca dhe trajnimi i posaçëm dhe eksperienca në fushën e psikologjisë.
Patjetër që psikologët që punojnë dhe janë të thirrur në gjykatë duhet të jenë të atashuar, të licensuar dhe të plotësojnë kriteret ligjore të Kodit të Procedurës Civile.
Ne kemi kryer dy trajnime kemi paraqitur edhe listat në Ministrinë e Drejtësisë dhe tek të gjitha institucionet e drejtësisë, gjykata, prokurori dhe polici..
Të gjitha këto lista janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila po harton edhe regjistrin elektronik, ku lista me ekspertët për çdo profesion do jetë e përditësuar online.
Psikologë të anëtarësuar janë 930 psikologë, 500 prej tyre janë të licensuar, 107 prej tyre janë ekspertë në gjykatë, pjesë tjetër që nuk plotësojnë kriteret për në gjykatë punojnë në institucione të tjera, si shkolla, kopshte etjer.
Në redaksinë e tirananews kanë ardhur denoncime se në gjykatat shqiptarë punojnë psikolog, të cilët nuk janë të licencuar, a jeni ju ne dijeni të këtij fakti?
Po kemi pasur raste që janë denoncuar edhe nga individë që na kanë sjellë ankesa, lidhur me këtë çështje, pasi është në fakt një problem akoma aktualisht. Ne bëjmë herëpasëhere thirrje, kemi bërë edhe takime me kryetarët e gjykatave edhe në rrethe edhe në Tiranë për t’u larguar nga ky fenomen. Pasi kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit.
Ekziston si fenomen dhe shpresoj që dalja e sistemit elektronik nga Ministria e Drejtësisë të sjelli një rikuperim të kësaj gjendje, është diçka që do të ndodhi shumë shpejt edhe publikimi i regjistrit.
Sa masa disiplinore janë marrë përgjatë vitit 2019 për psikologë që janë kapur në shkelje?
Nga vitit i kaluar janë 6 raste masash për shkeljes së etikës, masat janë nga paralajmërim në gjoba administrative deri në pezullim tre mujor. Kemi pasur edhe raste të heqjes licencës për një vit./ tirananews.al/