Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 24-vjeçare dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë 34 vjeç dhe 37 vjeç pasi akuzohen për ngritjen e një skeme mashtrimit me ndihmat për të miturit duke marrë qindra transaksione financiare përmes mashtrimit.
Gjatë operacionit “Kameleonet 2”, është arrestuar Anisa Hamati si dhe janë shpallur në kërkim shtetasit Sandrino Nika dheArsen Memaj.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime për ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik, me qëllim përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.
Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.
Tërheqja e shtetasve të interesuar bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.
Këta shtetas, për një periudhë disamujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj
