Pas 13-vitesh në elitë dhe mes sukseseve të njëpasnjëshme, Skënderbeu rikthehet në Kategorinë e Parë pas barazimit 1-1 me Dinamon.
Korçarët në fakt ishin duke marrë një fitore deri në minutën e 90-të falë golit të Berishës, por një penallti e akorduar në fund nga arbitri Enea Jorgji pas edhe ndërhyrjes së VAR-it dhe e shndërruar në gol nga Sabien Lilaj bëri që në fund bardhekuqtë të dilnin kokëulur nga stadiumi i Kamzës.
Nga ana tjetër, edhe blutë e kryeqytetit janë “buzë greminës” dhe aktualisht i mban në lojë vetëm matematika duke qenë se kur kanë mbetur edhe nëntë pikë në lojë, gjenden po minus nëntë pika nga Egnatia e vendit të tetë.