Abuzimet seksuale me të mitur, kryesisht me femrat ka arritur në nivele tepër kritike. Sociologu Gëzim Tushi, i ftuar në studion e lajmeve të Ora News ngre shqetësimin se në mënyrë të turpshme kemi nivele shumë të larta të inçestit në shoqërinë shqiptare. Sipas tij këto fenomene, në shumicën e rasteve janë brenda familjes.
Gëzim Tushi: Rasti i Kavajës është shembull tipik që tregon se në shoqërinë shqiptare e keqja e abuzimit me seksualitetin femëror ka arritur në nivele shumë kritike. Ne nuk duhet të bëjmë moralin e strucit, ti mbulojmë të vërtetat banale që kemi.
Ne kemi ambiente të shumta ku abuzim seksual me fëmijët ka filluar të jetë evident dhe ka filluar të hapet koraca. Dmth ka filluar të ikë ai koncepti i dikurshëm që e mbulonte këtë gjë për hatër të koncepteve morale të shoqërisë. Duhet të pranojmë që në mënyrë të turpshme kemi nivele shumë të larta të inçestit në shoqërinë shqiptare. Fëmijët minorë nën moshën 12 vjeç apo deri në moshën 18 vjeç, se këto janë kufijtë e deklarimit të abuzimeve seksuale, një pjesë të madhe të tyre e kanë brenda familjes. Ju garantoj se është raporti i pedofilëve që janë jashtë familjes me ata që kryejnë inçeste brenda saj, kam përshtypjen se do të jetë aty aty.
Duke u ndalur te rasti i përdhunimit të 14-vjeçares në Kavajë nga 8 adoleshentë, sociologu Tushi tha se kjo është një ngjarje e përbindshme dhe se drejtësia duhet të bëjë punën e saj.