Arratia e ish-shefit të policisë së Dhërmiut, Sokol Bode i cili është dënuar me 12 vite burg për shkak të lidhjeve me grupin e trafikantëve të drogës së Moisi Habilajt, mori fund mbrëmë. Bode kishte katër ditë që ishte kthyer nga Anglia në vendin e tij të lindjes, në Uznovë të Madhe të Beratit. Kur “Operacionalja” ndërhyri për arrestimin e tij, Bode nuk ka bërë rezistencë dhe u është dorëzuar pa probleme autoriteteve.
Në Berat ai ka dy prindërit dhe një vëlla me aftësi të kufizuara, të cilët janë gjendur në befasi në momentin që policia ka ndërhyrë. Policia kishte arritur të lokalizonte Boden përmes informacioneve operative dhe ishte e sigurt se ai gjendej në Berat.
Sokol Bode është sjellë në Tiranë në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa procedurat po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Zyrtari i lartë i policisë konsiderohej i afërt me Florian dhe Moisi Habilaj.
Së bashku me Boden u dënua me 8 vite burg edhe ish-shefi i sektorit të luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar në policinë e Vlorës Gjergji Kohila i cili u vetëdorëzua në polici në Dhjetor të vitit të kaluar.
