Vrasja në 2 qershor 2021 e Fridman Xhaferaj në Korçë, ka qenë më ekstremja dhe torturuesja, që ka kryer grupi i djemve i drejtuar nga Laert Haxhiu, i cili tashmë është arrestuar në Greqi dhe është në pritje të procedurave të ekstradimit në Shqipëri.
Krimi i rëndë ka ndodhur vetëm 24 orë pasi i njëjti grup kriminal kishte ekzekutuar tregtarin Çajup Selimin në Tepelenë dhe brenda kësaj nate, anëtarët e grupit të udhëhequr nga Laert Haxhiu, kanë udhëtuar drejt Korçës, me qëllimin e vetëm për të ekzekutuar mikun e tyre, Fridman Xhaferaj.
Fridman Xhaferaj, që thirrej me nofkën “Kushëriri” i kishte dalë nga dëshira Laert Haxhiut, pasi sipas tij ishte një anëtar grupi që sillte vetëm probleme dhe bënte gabime.
Në një rast Fridmani, i kishte prishur paratë e drogës Laert Haxhiut pa e vënë në dijeni atë, ndërsa në një rast të dytë i kishte kërkuar drogë hapur në telefon Ligor Romançkës, dhe ky gabim ishte i pafalshëm për anëtar grupi kriminal që fliste hapur në telefon.
“…e kam marrë kot në grup Fridmanin, sepse asnjë punë nuk më ka bërë…”-shprehej Laert Haxhiu, sipas dëshmisë së Tafanit.
