Në kuadër të koncertit të Kanye West, që do të zhvillohet më 11 korrik 2026 në Kashar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë të ditur planin e masave për qarkullimin rrugor, duke njoftuar kufizime të përkohshme të lëvizjes së automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet.
Po në të njëjtin interval kohor, do të ndalohet qarkullimi edhe në korsinë e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në orën 24:00 do të bllokohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si edhe në segmentin “Rruga ‘Sokrat Miho’ – rruga ‘Kasem Shima’ – rruga ‘7 Nëntori’”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia njofton gjithashtu se nga ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit.
Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm mjetet e Emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit.
