Edhe pse në terren takimet e përditshme nuk kanë munguar, sot nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet vendore 2023. Dje OSBE-ODIHR bëri thirrje për paqe, kurse Presidenti Bajram Begaj kërkon garantimin e procesit të rregullt.
Kreu i shtetit dha mesazhe të forta dhe porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke i kërkuar institucioneve përgjegjëse që të monitorojnë fushatën elektorale me kujdes dhe të dënojnë çdo fenomen që mund të cenojë procesin zgjedhor, mes tyre edhe shit blerjen e votës.
Një ditë më parë, KQZ hodhi shortin dhe partitë mësuan renditjen e tyre në fletën e votimit dhe numrin e kandidatëve për kryebashkiakë me të cilin do të bëjnë fushatë.
Në bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj do të mbajë numrin 4, Pas tij, i pesti, në fletën e votimit renditet Belind Këlliçi i Koalicionit Berisha-Meta ndërsa i 6-ti Roland Bejko i PD zyrtare. Numri 1 do të mbahet nga kandidati i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri. I dyti në fletën e votimit është kandidati komunist Marko Dajti, që u fut në zgjedhje me firmën e Flamur Nokës, ndërsa e 3-ta Lajla Përnaska nga PDIU-ja.
Në listën për këshillat bashkiak, Shorti renditi të parin Koalicionin Meta-Berisha, PS-ja radhitet e dyta, ndërsa mes 40 partish në këtë listë Partia Demokratike zyrtare e Enkeleid Alibeaj do të mbajë numrin 9, i njëjti numër që e identifikoi atë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të dy viteve më parë.
