Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot më 18 dhjetor 2025, në orën 10:00, seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Kjo mbledhje që pritet të shoqërohet me përplasje politike dhe diskutime të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Në fokus të seancës do të jenë disa çështje të ndjeshme institucionale dhe politike, të cilat kanë ndezur debatin publik gjatë javëve të fundit.
Një nga pikat më të diskutuara lidhet me institucionin e Avokatit të Popullit. Endrit Shabani, i cili u përzgjodh për këtë detyrë me firmat e Partisë Demokratike, por u miratua në seancë vetëm me votat e Partisë Socialiste, pritet të bëjë betimin zyrtar në Kuvend. Opozita e ka kundërshtuar këtë proces, duke e konsideruar të kontestueshëm dhe ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese, çka pritet të reflektohet edhe në debatet parlamentare të sotme.
Një tjetër çështje që pritet të shkaktojë tension është ajo e zv kryeministres Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj. Ndërkohë, Këshilli i Mandateve, i cili ka rol këshillimor në këtë proces, është parashikuar të mblidhet të premten për të shqyrtuar kërkesën.
Megjithatë, situata është komplikuar nga fakti se anëtarët e Këshillit të Mandateve ende nuk kanë marrë në dispozicion materialet provuese të SPAK, të cilat ndodhen në një USB. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ende nuk ua ka vënë në dispozicion këtë material, duke argumentuar se dokumentacioni përmban të dhëna që janë sekret hetimor. Kjo ka nxitur akuza për mungesë transparence dhe pengim të procesit parlamentar.
Në rendin e ditës së seancës së sotme janë përfshirë edhe pika të tjera, mes tyre një mocion me debat lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria për forcimin e politikës së “tolerancës zero” ndaj krimit të organizuar. Ky diskutim pritet të shfrytëzohet nga opozita për të kritikuar rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa mazhoranca pritet të mbrojë qasjen dhe veprimet e saj.
