Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një ndryshim në ekipin e tij ligjor, vetëm pak orë para zhvillimit të seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme. Burime nga mbrojtja bëjnë me dije se avokati Artan Gjermeni do të jetë përfaqësuesi i ri ligjor i Veliajt, duke u bashkuar me avokatin Ermir Beta, që ka qenë pjesë e mbrojtjes që prej nisjes së hetimeve.
Sot pritet të mbahet seanca paraprake për dosjen që përfshin ish-kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si dhe disa persona të tjerë. Në këtë seancë, gjykata do të shqyrtojë akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt dhe do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.
Seanca e mëparshme u shty pas bojkoti të avokatëve, në shenjë proteste për ndalimin e avokatit Ulian Barjami, pas përplasjes që ndodhi me një prokuror në sallën e Gjykatës së Elbasanit.
Kujtojmë se më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Erion Veliaj, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një më të butë.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, pasi akuzohet nga SPAK për ngritjen e një skeme korrupsioni dhe pastrimi parash, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij.
