Ditën e sotme 334.539 mijë qytetarë do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur Kryetarin e ri të bashkisë në Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik.
Në qytetin bregdetar të Vlorës, të drejtë vote kanë 171.895 banorë të cilët do të votojnë në 232 qëndra votimi të ndara sipas adresave të tyre.
Gara në këtë bashki është mes Brunilda Mersinit e cila përfaqëson Partinë Socialise dhe kandidatëve të pavarur Dionis Sota i cili ka mbështetjen e opozitës dhe Gjergji Nika.
Në Berat, të drejtë vote kanë 82.161 banorë të cilët do të votojnë në 116 qendra. Në këtë bashki kryetari i komanduar Ervin Ceca përfaqëson PS-në ndërsa do të përballet me Pavllo Shkarpa, kandidat i pavarur.
Tepelena ka 12.667 zgjedhës të cilët do të votojnë në 22 qEndra ndërsa gara do të jetë mes Gramoz Sakos nga mazhoranca dhe kandidatit të pavarur Gabriel Guma i cili ka marrë mbështetjen e demokratëve.
Në bashkinë e Matit janë 29.092 banorë të cilët do t’i drejtohen 47 qendrave të votimit.
Gara në qytetin verior zhvillohet mes tri kandidatëve. Altin Bojni do të jetë kandidati socialist, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur, ish-kryetarja e Gruas në PS-në lokale, Suzana Pasha. Ndërkohë që PD dhe opozita mbështet kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës.
Sipas të dhënave nga KQZ, në Bashkinë Cërrik janë 38.724 qytetarë me të drejtë vote ndërsa qëndra votimi do të jenë plot 57.
Edhe këtu do të jenë tri garues. Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, për të cilën ka deklaruar mbështetjen edhe PD e Berishës. Në këtë bashki do të ketë edhe një kandidat i tretë, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’ është Eligert Hima.
