Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili ndodhet në terren, thotë se nga moti i keq ky qark ka mbetur i izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë.
“Situata vazhdon të përkeqësohet. Kemi informacione që është shtuar sipërfaqja nën pushtetin e ujit. Flasim për mbi 2000 hektarë të mbytura. Ka pasur rritje të nivelit të ujit. Banorët e këtyre zonave janë të izoluar”, tha Spahia për gazetarët.
Ai shtoi se problemet më të mëdha janë shfaqur në fshatrat Kuç, Dajç, ku ka pasur dalje të ujit, gjithashtu edhe në disa lagje periferike të qytetit. “Shkodra është praktikisht e izoluar, për shkak të mbylljes së urës së bahçallëkut, e kemi mbyllur edhe për këmbësorët. Momentalisht Shkodra praktikisht gjendet e izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Aksesi i vetëm mbetet rruga dytësore nga Guri i Zi”.
Nga ana tjetër, Spahia thekson edhe se përmbytja ka ardhur si rezultat i hapjes shumë të shpejtë i hidrocentraleve, në mënyrë të papritur. “Duhet të ishim njoftuar në mënyrë që të përgatiteshin banorët dhe ne të merrnim masat”.